LVV kërkon nga opozita që të bashkohën kundër themelimit të Asociacionit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni në emër të subjektit të saj politik ka kërkuar nga opozita që të bëhen bashkë kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në fjalimin e saj në Kuvend, Kryeziu-Hyseni tha se gabimet e së kaluarës nuk duhet të përsëriten.
“Ta themi hapur dhe më zë të lartë se gabimet e së kaluarës nuk do të përsëriten. Pozicionimi i secilit prej nesh kundër Zajednicës i jep forcë kundërshtimit tonë për të mos e pranuar atë. Të bëhemi bashkë dhe ta themi një zëri se Zajednica nuk kalon”, tha deputetja e LVV-së.
Mosthemelimi i Asociacionit sipas Kryeziu-Hysenit duhet të ishte insistim i secilit.
“Insistimi më i madh i yni si mazhorancë në Kuvend, vazhdon të mbetet mosthemelimi i Asociacionit. Ky do të duhej të ishte insistim i secilit prej nesh pa dallim, këmbëngulje e jona e përbashkët. Këtë ia kemi borxh atyre që dhanë jetën për këtë tokë dhe liri. Sot më shumë së kurrë, Kosova kërkon unitet dhe qëndrueshmëri”.
Deputetja e LVV-së ka folur edhe për qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit.
“Insistimi i Serbisë, në themelimin e Asociacionit, bllokimi i procesit negociator dhe mospranimi për të dialoguar mbiplanin -franko-gjerman shpërfaq dëshirën e tyre për destablizim të situatës në Kosovë. Përpos destruktivitetit të brendshëm, Serbia ka vazhduar me fushata të egra ndaj Kosovës edhe nëpërmjet ambasadorëve të saj. Ata nuk i fshehin pretendimet territoriale ndaj, Bosnjës e Hercegovinës, Kosovës e Malit të Zi”.
Kujtojmë se Zyra e Bashkimit Evropian ka njoftuar se gjatë datës 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohen për të dialoguar mbi bazën e planit franko-gjerman i cili tashmë është i mbështetur edhe nga BE.
Kurse, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se në takimin e së hënës në Bruksel, kryeministri i Kosovës do të nënshkruaj Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
/Shqip.com