Lajme

Loshaj: Kelkos tërhoqi paditë por janë shkaktuar dëme të mëdha

Shpresa Loshaj

Aktivistja mjedisore në organizatën “Pishtarët”, Shpresa Loshaj, tha se tërheqja e padisë nga kompania “Kelkos” ndaj saj dhe aktivistit, Adriatik Gacaferi, është lajm i mirë, por që kjo padi ka bërë dëme të mëdha, përcjell Shqip.com.

Sipas saj, tërheqja e padisë është fitore për aktivizmin dhe demokracinë, por që hidrocentralet e Kelkosit operojnë dhe natyra në Grykën e Deçanit është “ende e degraduar”.

“E kemi parë me një sy pozitiv pasi është një fitore për aktivizëm dhe demokracinë. Kjo na tregon se nuk duhet të zmbrapsemi nga kauzat tona kur e dijmë që janë në rrugë të drejtë. Mirëpo hidrocentralet e Kelkosit ende operojnë, natyra në Grykën e Deçanit ende është e degraduar.

Nuk kanë marrë ndonjë vendim apo hap të duhur që tregon në se janë duke e rehabilituar natyrën. E vetmja gjë e mirë është që Kelkosi i ka tërhequr paditë mirëpo dëmi i padive është shkaktuar”, ka thënë Loshaj në Kohavision.

Tutje, ajo shton se padia ndaj tyre ishte ngritur për t’i “frikësuar dhe heshtur”, teksa thotë se “Kelkos” duhet të japë edhe arsyen e tërheqjes së padisë.

“Motivi fillestar për të na paditur ishte që të na frikësojnë dhe të na heshtin. Kur u pa që ne nuk ishim vetëm dhe ne nuk po heshtim, kjo çështje u bë shumë e madhe u pa që ndodhi e kundërta e asaj që ata dështën. Kelkosi nuk ka dhënë deklaratë se përse e ka tërhequr padinë.

Kelkosi ndoshta është duke u munduar që ta ndreq imazhin mirëpo do të ishte mire që Kelksoi të kërkojë edhe falje publike ndaj komunitetit dhe të fillojë një bashkëpunim me komunitet për të gjetur një zgjidhje për Grykën e Deçanit”, është shprehur Loshaj.

Ndryshe, të mërkurën, kompania që është marrë me hidrocentrale në rajonin e Deçanit “Kelkos” ka tërhequr paditë ndaj dy aktivistëve.

Kjo kompani kishte paditur aktivistët që ishin shprehur publikuisht kundër ndikimit që kanë projektet e hidrocentraleve në atë zonë.

Ata ishin paditur për shpifje, kurse organizatat e shoqërisë civile atë kohë i kishin cilësuar si padi “slapp” për të penguar kritikën dhe pjesëmarrjen e aktivistëve në procese publike./SHQIP.com