Lajme

Ministri Krasniqi bën thirrje për bojkotim të lokaleve ku nuk u shërbehet komuniteteve

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, së fundmi ka adresuar një problemtatikë jo të zakonshme.

Ministri Krasniqi, ka bërë thirrje që të bojkotohen lokalet ku nuk u shërbehet komuniteteve, shkruan Shqip.com.

“Është turp që ende në lokalet e gastronomisë në qytete të ndryshme të Kosovës, në forma të ndryshme refuzojnë t’i shërbejnë pjesëtarët e komuniteteve dhe bëjnë diferencime!”, ka shkruar ai në Facebook.

Një rast i tillë, sipas ministrit, ka ndodhur në qytetin e Gjakovës.

Ai ka thënë se qyteti i Gjakovës është shembull për bashkëjetesë dhe rastet e tilla nuk duhet të ndodhin.

“Për një rast të tillë edhe dje me informuan aktivistë nga Gjakova. Gjakova është ndër qytetet shembull për bashkëjetesë dhe rastet e tilla nuk duhet të lejohen të ndodhin!”, ka shkruar Krasniqi.

“Mbetet angazhim i institucioneve dhe shoqërisë që të garantoj dhe zhvilloj bashkëjetesën dhe mundësitë e barabarta për të gjithë qytetarët. Lokalet të cilat bëjnë diferencime të tilla duhet t’i bojkotojmë të gjithë! Personat me ngarkesa raciste nuk duhet t’i mbështesim në zhvillim të tyre!”, përfundoi, ministri Krasniqi./Shqip.com