Lobim 6 milionë dollarësh, SPAK nis verifikimet për kontratën e PD në SHBA

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion është vënë në lëvizje pas publikimit në media të kontratës së lobimit në SHBA të Partisë Demokratike, me vlerë prej 6 milionë dollarë. SPAK konfirmoi zyrtarisht për A2CNN se ka nisur verifikimet. Në lupën e prokurorëve duket se janë pikërisht shifra e kontratës dhe burimi i të ardhurave i financuesve.
Kontrata e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA është futur në verifikim nga SPAK. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion konfirmoi zyrtarisht lajmin për A2 CNN. Shifra prej 6 milionë dollarësh e kësaj kontrate dhe burimi i të ardhurave të financuesve, janë vënë nën lupën e prokurorëve të posaçëm.
Lëvizja e SPAK erdhi pas publikimit në media të kësaj kontrate, ku Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri publike marrëveshjen 24-mujorëshe me një vlerë totale prej 6 milionë dollarësh, sipas së cilës, për çdo muaj, deri në prill të 2027, do të disbursohen 250 mijë dollarë.
Kompania e pajtuar për lobim është Continental Strategy dhe pagesa e lartë duket se merr shpjegim nga emrat e disa prej drejtuesve të saj, që njihen si persona shumë pranë Presidentit amerikan Donald Trump. Kundërfirmosja në emër të amerikanëve është bërë nga Carlos Trujilo, ish-këshilltar i Trump, por emri tjetër më i rëndësishëm, është ai i Katie Wiles, vajza e Susie Wiles. Kjo e fundit mban detyrën e shefes së kabinetit të Donald Trump dhe është njeriu që drejtoi fushatën elektorale që e riktheu Presidentin amerikan në Shtëpinë e Bardhë. Ajo njihet edhe bashkëpunëtore e ngushtë me Chris LaCivitan.
Verifikimi i nisur nga SPAK duket se lidhet pikërisht me financuesit e kontratës 6 milionë dollarëshe, që zyrtarisht nuk paguhet nga Partia Demokratike. Selia blu në një reagim publik u shpreh se të gjithë dollarët janë donacion nga komuniteti shqiptar në SHBA, nëpërmjet fondacionit “Make Albania Great Again”. Madje, edhe paratë e tre kësteve të para janë paguar nga Nuredin Seci, shqiptaro-amerikani nga Tropoja që jeton në Nju Jork i cili është edhe garantori i kontratës së lobimit. Është pikërisht kjo skemë që ka tërhequr vëmendjen e SPAK në Tiranë.
Sipas marrëveshjes, kompania Continental Strategy do të ndihmojë në krijimin e kontakteve me zyrtarë të qeverisë dhe Kongresit amerikan, do të promovojë kauza si lufta kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare në përputhje me interesat SHBA-Shqipëri, si dhe do të angazhohet në çështje strategjike ligjore në emër të PD-së dhe koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Çfarë nuk gjendet zyrtarisht në tekstin e kontratës, por që gjerësisht mendohet se është qëllimi i saj kryesor, lidhet me non-gratën e Sali Berishës, rënia e së cilës, faktike apo zyrtare, do të përkthehej në ndihmë për të dhe PD-në në prag të zgjedhjeve.
/Shqip.com