Zyrtari i mbrojtjes amerikane: Pushtimi rus është ‘kryesisht i bllokuar’

Pushtimi rus mbetet kryesisht i bllokuar në të gjitha linjat e avancimit.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane tha se trupat ruse nuk kanë lëvizur më tej drejt Kievit që nga java e kaluar, shkruan BBC.

“Rusët kanë lëshuar më shumë se 1100 raketa, por mund të përballen me disa “çështje të inventarit”, tha zyrtari.

Ai tutje shtoi se disa raketa ruse kanë dështuar të lëshohen, e disa kanë dështuar të shpërthejnë.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të konfirmojnë ose hedhin poshtë pretendimin e Rusisë se ka përdorur një raketë hipersonike”, tha zyrtari.

Ndërkaq ai tha se nuk ishte e qartë pse raketa do të ishte e nevojshme, por se rusët mund të kenë pasur mungesë të raketave të drejtuara me saktësi, ose kanë dashur të dërgojnë një mesazh.

Zyrtari tha se kishte pasur një rritje të aktivitetit detar në Detin e Zi, i cili besohej se përfshinte disa granatime rreth portit të Odesës. Por kjo nuk do të thotë se një sulm në qytet ishte i pashmangshëm.