Zelensky: Liderët që planifikojnë të vizitojnë Ukrainën nuk duhet të vijnë me duar bosh

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky (Foto nga AP)

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën se liderët që planifikojnë të vizitojnë Ukrainën “nuk duhet të vijnë këtu me duar bosh”. 

Zelensky i bëri komentet kur u pyet se çfarë pret nga vizita e Sekretarit të Shtetit të SHBA, Antony Blinken dhe sekretarit amerikan të mbrojtjes Lloyd Austin në Kiev të dielën.

“Pse është e rëndësishme që liderët të vijnë tek ne? Unë do t’ju jap një përgjigje pragmatike; sepse ata nuk duhet të vijnë këtu me duar bosh. Ne presim jo vetëm dhurata apo ëmbëlsira; ne presim gjëra specifike dhe armë specifike.” tha Zelensky gjatë një shtypi në Kiev.

“Kjo është arsyeja pse ne do të jemi në gjendje të arrijmë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara ose një pjesë të paketës së armatimit për të cilën kemi rënë dakord më parë. Kjo është arsyeja pse unë besoj se ky është një sinjal pozitiv,” shtoi ai.

“E njëjta gjë për liderët e vendeve të tjera; ata e dinë që ne i kemi diskutuar këto gjëra në heshtje, siç thonë diplomatët tanë, është diplomaci e qetë. Nuk më pëlqen shumë, por ekziston,” tha Zelensky, raporton CNN.

“Ne do të jemi të lumtur t’ju shohim, por ju lutemi na sillni ndihmën që kemi diskutuar, që keni ose që keni mundësinë të sillni,” tha Zelensky. Ai shtoi, “kjo është arsyeja pse vizita nga SHBA është shumë e rëndësishme.”