Vuçiqi kërkon lirimin e serbëve të burgosur në Kosovë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka kërkuar lirimin e serbëve të burgosur si mënyrë për tu qetësuar situatën në veri.

Pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiç tha se serbët e Kosovës nuk duhet të angazhohen në dhunë kundër trupave të NATO-s dhe anëtarëve të misionit të Bashkimit Evropian atje.

“Askush, në asnjë rrethanë nuk duhet të përfshihet në sulme… Mbi Eulex dhe KFOR”, tha Vuçiq për Reuters.

Vuçiç nuk pranoi të japë hollësira mbi hapat që këshilli i sigurimit kombëtar miratoi. I pyetur në se Beogradi do të kërkojë të de-përshkallëzojë gjendjen në Kosovën e veriut, ai u përgjigj: “Absolutisht.”

Të shtunën, Vuçiç tha se Beogradi do t’i kërkonte KFOR-it ta linte Serbinë të vendoste ushtrinë dhe policinë në Kosovë, por pranoi se nuk kishte asnjë shans që të jepej leja, raporton Reuters.

Vlen të theksohet se këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar sot pritet që të takohen me krerët e shtetit të Kosovës.

Siç raporton REL, takimet e ndërkombëtarëve me qeveritarët do të zhvillohen në orët e pasditës ndërsa, me krerët e opozitës do të takohen ditën e marte.

Ky takim në mes udhëheqësve të Kosovës dhe përfaqësuesve amerikan erdhi në kohën kur veriu i vendit është i tensionuar.

Me 10 dhjetor, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejtë organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.