Spanja do e nisë dërgesën e parë të armëve sulmuese në Ukrainë

Spanja do të dërgojë 1370 granatahedhës antitank në Ukrainë të premten si pjesë e dërgesës së saj të parë të armëve sulmuese për të ndihmuar kundër pushtimit rus, shkruan CNN.

Ngarkesa do të përfshijë gjithashtu mitralozë të lehtë dhe 700 mijë fishekë, pushkë dhe municione për mitraloz, tha Ministrja e Mbrojtjes e Spanjës Margarita Robles. 

“E gjithë kjo do të shkojë me avionë të forcave ajrore spanjolle në një vendndodhje në Poloni afër kufirit, ku zyrtarët ukrainas do ta marrin atë,” tha Robles në një intervistë natën vonë në kanalin televiziv spanjoll Antena 3.

Robles tha se armët “janë shumë të rëndësishme sepse materiali lejon një mbrojtje shumë të individualizuar, madje edhe nga njerëz që nuk kanë shumë përvojë në përdorimin e armëve”. 

Pas ditëve të tëra që theksoi ndihmën e saj humanitare për Ukrainën, si dhe dërgimin e disa pajisjeve ushtarake mbrojtëse, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez njoftoi se “Spanja do t’i dorëzojë rezistencës ukrainase materiale ushtarake sulmuese” në parlament të mërkurën.

Në intervistë, Robles pranoi disa ndarje mbi dërgesat e armëve në partnerin e vogël të koalicionit të qeverisë së udhëhequr nga socialistët, partinë e majtë Podemos.

Por ajo tha se kabineti i kryeministrit ishte fort në favor, veçanërisht duke marrë parasysh “si po zhvillohen ngjarjet dhe bombardimet (ruse) të popullatës civile”.