Sot shpallet aktgjykimi ndaj Haradinaj dhe Gucatit

Sot duke filluar nga ora 10:00, pritet të shpallet aktgjykimi përfundimtar ndaj Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucatit.

“Trupi Gjykues II i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 18 maj në orën 10:00. Seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në shqip, serbisht ose anglisht përmes transmetimit në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Nga Gjykata Speciale u bë e ditur se ata akuzohen se në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.

Më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Paraqitja e parë e Haradinaj si i dyshuar u mbajt më 29 shtator 2020 dhe paraqitja e parë e Gucati si i dyshuar u mbajt më 1 tetor 2020./Shqip.com