Policia jep detaje për largimin e pjesëtarëve serb

Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe gjatë ditës së sotme ka pasur dorëheqje të pjesëtarëve të policisë nga komuniteti serb.

Siç thuhet në njoftimin e PK-së, këto dorëheqje kanë ardhur nga zona e drejtorisë rajonale të Mitrovicës së veriut.

“Referuar zhvillimeve aktuale ju informojmë se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën e veriut të vendit, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri. Njoftimet e tyre për dorëheqje janë bërë në rajonet dhe stacionet policore, ku disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara”, thuhet në njoftimin e PK-së.

PK-ja ka njoftuar se për menaxhimin e kësaj situate të krijuar do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore.

“Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, të gjitha veprimet do ti ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me qëllim të ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar”.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që deri me 21 nëntor të bëjë qortimin ndaj shoferëve të cilët vozisin automjete me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë e që cilësohen ilegale në Kosovë.

Pas datës 21 për të vazhduar deri me 21 janar është masa për shqiptimin e gjobave ndaj këtyre shoferëve. Për dy muaj të tjerë do të ketë tabela testuese si dhe lehtësira në regjistrim deri me 21 mars por, pas kësaj date nuk do të ketë më lehtësira.

Data 21 prill e vitit të ardhshme shënon afatin e fundit që lejon qarkullimin e automjeteve me targa ilegale Brenda territorit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën kërkuar nga Kosova shtyrje të afatit për targa pork jo kërkesë nuk u merr parasysh.

Të njëjtën linjë me SHBA-në qëndron edhe Bashkimi Evropian – Ata e quajnë legjitim vendimin për targa por thonë se kjo duhet të  bëhej Brenda një periudhe kohore prej 12 muajsh.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen në veri të Kosovës – Qeveria ka pezulluar drejtorin e Policisë Rajonale në Veri Nenad Gjuriq për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb.

Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhveshur dje uniformat e tyre.

Nga detyra e ministrit të Kosovës ka dhënë dorëheqje edhe Goran Rakiq, ndërsa gjatë ditës së sotme kësaj ju janë bashkuar edhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Sot gjatë ditës është mbajtur edhe një protestë në veri, nga e cila u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.