Shpresë e re për vizat, grupi punues mblidhet sërish në nëntor

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë ka deklaruar se Grupi Punues për viza do të mblidhet sërish me 9 dhe 10 nëntor të këtij viti.

Sipas Bislimit, tema e diskutimit të liberalizimit të vizave do të jetë në agjendën e Këshillit Evropian pas 1 muaji.

“Kosova është udhëzuar që të përdorë kanalet e veta bilaterale për të diskutuar kërkesat e reja, ashtu që të arrihet konsensus, për të shtyrë përpara procesin në mbledhjen e Grupit Punues për viza që do të mbahet më 9-10 nëntor të këtij viti”, tha Bislimi.

Temat e diskutuara dje, në kuadër të takimit me dyer të mbyllura, zëvendëskryeministri Bislimi, i ka cilësuar si kushte te reja që po i vendosen Kosovës.

Por, i dyti i qeverisë është shprehur optimist për faktin se nuk ka asnjë shtet për momentin në Evropë që ka pasur hezitime sa i përket liberalizimit të vizave.

Në lidhje me procesin e vizave është deklaruar edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, duke thënë se procesi ka shënuar një hap shumë të rëndësishëm përpara.

“Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza”, tha Gërvalla.

Grupi Punues, që funksionon në kuadër të Këshillit të Evropës, në mbledhjen e ditës së djeshme, ka paraqitur kërkesa të reja në përmbushjen e procesit për të udhëtuar pa viza.

Kujtojmë se në mbledhjen e djeshme është propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS./SHQIP.com