Reagon Hoti: Kjo situatë më shumë i përshtatet Serbisë e jo neve

Pas dështimit të arritjes së marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, ka ardhur edhe reagimi nga ana e ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, Hoti ka thënë se në Kosovë mund të krijohen tensione.

“Në vend që të dëgjohen këshillat e amerikanëve lidhur me vendimin për targat, negociohet me Serbinë në Bruksel!!! Në vend që t’iu lihet kjo punë në dorë amerikanëve dhe të ndiqen këshillat e tyre për të përmbyllur dialogun, krijohen tensione në teren pavarësisht se Kosova është në të drejtën e saj për të zbatuar ligjshmërinë” ka thënë fillimisht Hoti.

Sipas Hotit  tash duhet të negociohet në Bruksel për të zgjidhur problemet, e jo për të përmbyllur marrëveshjen.

“Kjo qasje nuk shpie askund.Edhe pse Kosova është në të drejtën e saj kur insiston në vendosjen e ligjshmërisë, kjo qasje na kthen prapa tek dialogu teknik për kthim të serbëve në institucione, tek dialogu për menaxhim të situatave, e jo dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke. Kjo situatë i përshtatet Serbisë, jo neve” ka shkruar Hoti.