Raporti i KE-së: Urgjentisht marrëveshja me Serbinë, korrupsioni i lartë, kërcënime e sulme fizike ndaj gazetarëve

Arritja e një marrëveshje të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, ka zërë vend të veçantë në raportin e publikuar nga Komisioni Evropian për vendin tonë për këtë vit.

KE-ja ka vlerësuar se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme me Serbinë është urgjente dhe vendimtare, për t’i mundësuar si Kosovës ashtu edhe Serbisë, të përparojnë në rrugën e tyre evropiane.

Raporti përmend takimet e rregullta të kryenegociatorëve dhe takimin e nivelit të lartë mes Kurtit dhe Vuçiqit më 18 gusht në Bruksel, dhe dakordimin për udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë, si dhe vendimin për lëvizjen e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë me letërnjoftime,

Raporti i kërkon Kosovës që të angazhohet në mënyrë më konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara.

Në aspektin politik Kosova sipas raportit, gëzoi stabilitet me një qeveri që ka shumicën në Kuvend.

Mirëpo, puna e legjislativit u ndikua negativisht nga atmosfera e polarizuar politike dhe vështirësitë në arritjen e kuorumit për të marrë vendime edhe pse qeveria ka mbështetjen e shumicës së deputetëve.

Raporti kritikon menaxhimin e dobët të agjendës legjislative nga ana e mazhorancës, por edhe për shkak se deputetët opozitarë të Kuvendit abstenuan nga votimi për të parandaluar miratimin e legjislacionit.

Gjithashtu, raporti thotë se ka pasur pak progres në zbatimin e kornizës ekzistuese legjislative për reformën e administratës publike.

Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe mungesën e kushteve për lirinë e shprehjes.

Në këtë pjesë është bërë pak progres në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar.

Në lidhje funksionimin e sistemit gjyqësor, Kosova është në fazë të hershme, derisa raporti sqaron se administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadaltë, joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndikimeve të panevojshme.

BE-ja ka mirëpritur angazhimin e qeverisë për të zbatuar Opinionin e Komisionit të Venecias për koncept dokumentin për Vettingun në drejtësi, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në. Megjithatë, raporti thotë se Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit, duke kërkuar më shumë vullnet politik për të trajtuar efektet e rreziqeve të korrupsionit sistematik.

Sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka një nivel të përgatitjes dhe përfiton nga një mjedis pluralist dhe i gjallë mediatik. Megjithatë, shqetësimet mbeten fushatat e shpifjeve publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve. Mungesa e vetëqëndrueshmërisë financiare i lë mediat, përfshirë transmetuesin publik, të pambrojtura ndaj interesave politike dhe të biznesit.

Në fushën ekonomike, Kosova sipas raportit arriti të mos jetë e ndikuar shumë nga pandemia, megjithatë, ekonomia informale, korrupsioni i lartë dhe sundimi i dobët i ligjit, vazhdojnë të pengojnë sektorin privat.

Sektori financiar mbeti i qëndrueshëm dhe kreditimi vazhdoi të zgjerohej, ndërkaq përkundër kundërshtimit të fortë, qeveria mori qëndrime të kujdesshme fiskale sa i përket pensioneve të veteranëve të luftës dhe vendimeve që lidheshin me Trustin e Kursimeve Pensionale.

Mirëpo, Kosova mbetet pa strategji afatgjate energjetike dhe e varur shumë nga energjia që prodhohet nga qymyri dhe me termocentrale të vjetruara.

Sa i përket arsimit, raporti thotë se Kosova ka bërë pak përparim në përmirësimin e cilësisë dhe adresimin e boshllëqeve të aftësive në tregun e punës.

Kosova vazhdon të ketë bashkëpunim të mirë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të marrë pjesë në shumicën e forumeve rajonale, por nuk është bërë asnjë përmirësim në raportet me Bosnje e Hercegovinën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe të dyja vendet mbajë një regjim të rreptë të vizave.

Kosova ka një nivel të përgatitjes, duke përfshirë edhe konkurrencën, ndërsa është bërë përparim i kufizuar në mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetësisë.

Vendimet e Kosovës për të kufizuar eksportet për një sërë produktesh ushqimore u morën pa u konsultuar me Komisionin Evropian.

Raporti lëvdon zgjedhjet komunale të vitit 2021 dhe fushatën e qetë dhe konkurruese, pa përfshirë pjesën e komunave veriore, ku konkurrenca politike ishte e kufizuar.

Kosovës i kërkohet të adresojë dobësitë e kahershme, siç janë identifikuar nga zgjedhjet e njëpasnjëshme të misioneve vëzhguese të BE-së që nga viti 2014 dhe të njëjtat të hyjnë në fuqi, para se të vijnë zgjedhjet tjera.