Raporti i Dick Martyt përplas Ramën dhe përfaqësuesin e Zvicrës në Asamblenë e KE-së

Raporti i Dick Martyt ka përplasur kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe përfaqësuesin e Zvicrës në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Damien Cottier.

Rama në mbledhjen e Asamblesë së Këshillit të Evropës, ka deklaruar se raporti i Martyt e kalon edhe fantazinë e një mendje të shëndoshë.

Ai ka thënë se shtëpia gjendet në pjesën veriore të Shqipërisë dhe fshati është i izoluar nga energjia elektrike, e që rrjedhimisht e bënë të pamundur kryerjen e veprimeve mbi të cilat është ndërtuar aktakuza.

Më tutje Rama ka shtuar se si është e mundur të imagjinohet heqja e organeve pa rrymë, pa ujë, e sidomos pa asnjë pajisje të sofistikuar.

Mirëpo Cottiner i ka kërkuar Ramës që mos ndërhyjë në proceset gjyqësore.

“Mendoni që kjo është mënyra më e mirë për të bashkëpunuar. Ju folët për ngritjen e dhomave të specializuara të Kosovës. Këto janë procedura të pavarura. S’mund të ndërhyjmë në proceset gjyqësore. Ne kemi paraqitur një raport, nuk kemi bërë një hetim penal. Pse duhet të ndërhyjmë në procedurat” ka thënë Cottiner.

Po ashtu Cottiner është shprehur se të gjithë duam të kemi bashkëpunimin më të mirë të mundshëm mes vendeve të Këshillit të Evropës.

“Të gjithë duam të kemi bashkëpunimin më të mirë të mundshëm mes vendeve të Këshillit të Evropës dhe më duhet të them se si Kryetar i Komisionit të Çështjeve Ligjore, jam pak i trishtuar që keni vënë në pikëpyetje cilësinë e punës që është bërë në atë kohë. nga z. Dick Marty, i cili është një nga raportuesit më të njohur të këtij institucioni dhe që krijoi reputacionin ndërkombëtar të Këshillit të Evropës”

Mirëpo Rama është shprehur se Cottiner ose nuk e ka kuptuar fjalimin e tij ose qëllimisht nuk ka dashur ta kuptojë.

“Do ta nis në këtë rasst duke iu përgjigjhur zotërisë. Do doja t’u thoja se me shummë mirësjellje presidenti më kërkoi të mos i referohesha zotit Dick Marty-t në fjalën time. Unë nuk e përmenda pas diskutimit. Nëse ju vazhdoni të më thoni se ajo që thashë këtu, është një kërkesë që ua paraqes ju, nuk mund të më thoni që po ju them të pengoni drejtësinë. Ose nuk e keni kuptuar atë që ju thashë, ose qëllimisht nuk doni ta kuptoni” ka thënë Rama.

Dhomat që ju përmendët, po trajtojnë gjëra të tjera. Akuza e trafikut të organeve njerëzore, është një akuzë që i ka bërë të gjithë bashkë këtu. Nuk po flas në ndërhyrjen në asnjë proces gjyqësor. Dua të jem i qartë. ka shtuar më tutje Rama.