Qeveria e Çekisë: Nesër diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën

Liberalizimi i vizave për Kosovën, do të jetë temë diskutimi gjatë takimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.

Ky lajm është konfirmuar nga Qeveria e Çekisë, raporton RTK.

“Mund të ju konfirmojmë se Qeveria e Çekisë, e cila kryeson Presidencën  e Bashkimit Evropian ka vendosur për diskutim në rend dite, çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën  në takimin e Grupit punues, që  mbahet sot (12 tetor) dhe nesër më 13 tetor. Tema e liberalizmit të vizave për Kosovën,  do të diskutohet nesër, më 13 tetor”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së  Çekisë.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka thënë sot se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Gjatë fjalimit të tij në Komisionin Evropian, Varhelyi tha se Kosova ka gëzuar stabilitet politik gjatë gjithë vitit dhe autoritetet vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre në rrugën drejt BE-së.