PSD paralajmëron protestë: Marrëveshja e Ohrit e dëmshme për Kosovën

Partia Socialdemokrate ka dal kundër marrëveshjes së arritur në mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Përmes një postimi në Facebook, PSD ka njoftuar se të shtunën do të ketë protestë duke filluar nga Sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Sipas njoftimit, protesta do të fillojë nga ora 14:00.

Tutje, në njoftim ata thonë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka mandat për këtë marrëveshje.

“Marrëveshja e mbrëmshme është e dëmshme për Kosovën. Kurti nuk ka mandat për këtë marrëveshje. Prandaj të gjithë që jeni kundër marrëveshjes dhe kundër mashtrimit ju ftojmë në protestë, të shtunën në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”!Mashtrimi është i madh dhe i rrezikshëm për demokracinë dhe qytetarinë”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka bërë publik planin e për zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Në shtojcën e publikuar thuhet se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.