Pas Kurtit edhe ambasadori Bajrami e akuzon Borrellin

Pas kryeministrit të Kosovës edhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami ka reaguar për mos arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Bajrami ka akuzuar Josep Borell për dështimin e arritjes së marrëveshjes.

“Në takimin urgjent të ftuar nga Josep Borrell, Kosova ka propozuar të pezullojë fazat e mëtutjeshme për targat, në këmbim që Serbia të ndalojë së lëshuari targa ilegale dhe Serbia të fillojë procesin e bisedimeve të bazuar në propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania e Franca. Çuditërisht, kjo u refuzua”, ka shkruar Bajrami në Tuitter.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka dështuar të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Në një konferencë për media pas takimit, shefi i dimplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka dhënë detaje për propozimin e BE-së për zgjidhjen e situatës.

Ai ka thënë se propozimi i vënë në tavolinë, kërkonte nga Kosova që ta suspendojë menjëherë vendimin për moslejimin e përdorimit të tabelave KM, ndërsa Serbisë që të mos lëshoj më tabela me akronimin KM.

Borrell ka thënë se propozimi u pranua nga presidenti serb Vuçiq, por u kundërshtua nga kryeministri kosovar, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për media pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në fjalën e tij, Kurti ka akuzar Josep Borrell për mos arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

“Natyrisht për ne nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet me atë me çfarë jemi ftuar këtu, dakordimin që me urgjentë të angazhohemi për marrëveshjen finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Afati ka qenë marsi i vitit 2023. Pra po vimë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt ecje të re për marrëveshje para marsit të vitit 2023. Me keqardhje e them se ndërmjetësit, në këtë rast Borrell, hoqi dorë nga afati i marsit të vitit 2023, dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë Kurti.

Në Bruksel përfundoi takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimi u mbajt me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell, ndërsa nisi rreth orës 10:00.