Osmani: Zbatimi i rendit dhe ligjit është objektiv i institucioneve

Pas takimeve me Ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur në takim edhe komandatin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

Temë kryesore e këtij takimi ka qenë situata në veri të vendit.

“Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, më te cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në veri të vendit. Osmani ka potencuar se zbatimi i rendit dhe ligjit është objektiv i institucioneve të Kosovës dhe se nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar, pa dallim përkatësie etnike” thuhet në njoftim.

Pas largimit nga institucionet e Kosovës gjatë ditës së djeshme, dhe dorëheqjes së Goran Rakiçit nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës, edhe Kryetarët dhe këshilltarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqjen e kanë dorëzuar edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Gjatë ditës së djeshme në pjesën veriore të vendit u mbajt një protestë e organizuar nga ana e serbëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësine e sigurinë.Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës  të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.