Opozita me një varg kritikash, thotë se ka ngecje në punën e Kuvendit

Partitë opozitare kanë dhënë një numër kritikash për partinë që udhëheq me Kuvendin dhe Qeverinë.

Sipas tyre, e vetmja pikë pozitive është se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për të marrë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi ka thënë për Shqip.com, se në bazë të raportit, Kosova nuk ka shënuar progres të theksuar.

Sipas saj, problematike mbetet çështja e zbatimit të Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian.

“Kemi ngecje në raportin e MSA-së. Kemi të bëjmë me 34 ligje të parapara nga Qeveria, e që kanë kalu vetëm 16 ligje për 18 muaj. Ky është faji i deputetëve të pozitës, që nuk kanë ardhur ta bëjnë kuorumin”, tha Krasniqi për Shqip.com

Sfidë mbetet edhe përshpejtimi i dialogut, në këtë rast deputetja Krasniqi thotë se vet fakti që janë kyçur Gjermania e Franca, është shenjë e rëndësishme. Por, sipas saj, LDK-ja pa fjalën e SHBA-ve, nuk i beson asgjë procesit të dialogut.

Ndërsa anëtarja e komisionit nga radhët e PDK-së, deputetja Blerta Deliu, shprehet se stabiliteti politik i përmendur në raport, ka të bëjë me shumë me numrat e pozitës në Kuvend.

“Stabiliteti politik, për të cilin është shkruar në raport, është për shkak të numrave të partisë në pushtet, pra mbi 50%. Por, këtu duhet ta përmendim edhe faktin se aty shkruhet për mungesën e miratimit të ligjeve për shkak të mungesës së kuorumit”, tha Deliu për Shqip.com

Deputetja Deliu ka folur edhe për kritikat e raportit sa i përket cenimit të fjalës së lirë. Sipas deputetes së partisë më të madhe opozitare, në vazhdimësi është ushtruar presion ndaj atyre që e kanë kritikuar pushtetin, e kjo sipas saj, është cenim ndaj demokracisë dhe atyre që mendojnë ndryshe.

Kurse, anëtarja tjetër e Komisionit për Integrime Evropiane, nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka dhënë kritika ndaj deputetëve të VV-së, për neglizhencë.

“Ashtu siç është shkruar në raport edhe ne i kemi vërejtjet e tona sa i përket funksionimit të Kuvendit, konkretisht komisioneve. Unë mendoj se pozita nuk është e organizuar mirë dhe se agjenda nuk po funksionin edhe për shkakun e dështimit të Qeverisë për të sjellur projektligje të reja, të cilat i kanë përmendur”, tha Kadrijaj për Shqip.com

Depuetja e opozitës, ka thëne se si AAK, kanë votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare sepse e konsiderojnë mbi të gjitha interesin nacional.

Shqip.com ka provuar të marrë qëndrimin edhe të anëtarëve të këtij komisioni që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike dhe SMS-ve të dërguar./SHQIP.com