Opozita i reagon sërish Kurtit lidhur me vrasjen e gruas shtatzënë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka treguar se është takuar me qytetarët e Suharekës.

Sipas Abdixhikut, qytetarët janë duke kërkuar përgjegjësi e veprim për rastin e fundit ku u vra një grua shtatzënë.

“Në vend të fjalëve e reagimeve poetike, qytetarët kërkojnë përgjegjësi e veprim. Fillimisht dorëheqje dhe shkarkim të secilit përgjegjës në çdo segment të dështuar të shtetit; më pas luftim të dukurisë së dhunës ndaj gruas në rrënjë. Kjo ishte kërkesa e qytetarëve të Suharekës në takimin e përbashkët që patëm sonte në kuadër të ‘LDK ju dëgjon”, shkroi Abdixhiku.

Abdixhiku tha se kryeministri Albin Kurti duhet t’i mbajë përgjegjës secilin duke përfshirë edhe njerëzit e tij.

“Kryeministrit të vendit iu deshën njëzet e katër orë – dhe gjithë presioni publik mbi reagimet skandaloze të tij – për të kuptuar se për çfarë është aty. Njëzet e katër orë për të thirrur në përgjegjësi gjithë zinxhirin përgjegjës. Koha për të reaguar ka kaluar. Tani t’i mbajë përgjegjës secilin, dhe njerëzit e tij”.

Po ashtu, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka drejtuar pyetje Kurtit duke i thënë se Kosova nuk ka ministër të shëndetësisë, kryeprokurorë dhe drejtor të policisë, e ku do të ndalët zingjiri i përgjegjësisë?

Kujtojmë se në mbrëmjen e djeshme është vrarë një grua shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga një person i cili dyshohet se është ish-bashkëshorti i saj.

Policia e Kosovës ka gjetur veturën e personit që dyshohet se vrau 35 vjeçaren në QKUK.

Sipas raportimeve, vetura është gjetur në Shtime në parkun “Ahmet Shtimja”.

Sipas njoftimit nga Gjykata më datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëgjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje.

Kurse, sot është mbajtur protestë lidhur me këtë rast.

Disa nga protestuesit kanë hedhur edhe zjarr në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Thirrjet e protestuesve ishin nga më të ndryshmet: Me pankartat “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave”,  “Dorëheqja nuk mjafton”, “Polici i keni duart me gjak”, “Hapësirat private e publike të pasigurta”.