Nagavci: Komunat nuk i kanë dorëzuar të dhënat për mësimdhënësit, nuk ka kompensim për punën e pakryer

Ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se komunat nuk kanë dërguar të dhënat për arsimin parauniversitar në Ministrinë e Financave.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci tha se mosekzekutimi i pagave ka ndodhur për shkak se nuk janë dërguar të gjitha të dhënat.

“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, shkroi Nagavci.

Sipas Nagavcit, për më shumë se një vit janë realizuar në mes Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Qeverisë, si dhe këta të fundit i kanë lutur që të mos ndërmarrin hapa të pamenduar.

“Për më shumë se një vit, kemi zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBASHK-ut, i kemi lutur të mos marrin hapa të pamenduar pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim”.

Ministrja e Arsimit tha se mosekzekutimi i pagave për grevistët ëshët diskutuar edhe me kryesinë e SBASHK-ut.

“Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer.  Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi”.

Ndërsa, lidhur me orët e humbura, Nagavci tha se sot do të publikohet Kalendari i rishikuar për vitin 22 duke premtuar se rezultatet në arsim do të  përmirësohen.

Ministrja e arsimit tha se kompensim do të ketë vetëm për punën e bërë.

Opozita në Kosovë e ka quajtur si jo të drejtë vendimin për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj ministrit Hekuran Muratit.

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka thënë se ky vendim është i padrejtë dhe nëse nuk ekzekutohen pagat atëherë do të mbledhin fonde për t’i paguar mësimdhënësit.