Motrat nga Harkivi: E tërë jeta e paketuar për 20 minuta 

Motrat nga Ukraina

Dy motra në një apartament në Varshavë po bëjnë fletushka, përmes së cilave kërkojnë punë – për të pastruar apartamente, të lajnë dritare, të bëjnë pazar. Më pak se dy muaj më parë, Lilia Chebotarova, 39 vjeçe, farmaciste, punonte për një agjenci për patundshmëri. Motra e saj Tatiana, 46 vjeçe, punonte në një kompani private që prodhon materiale për ordinancat dentare në Harkiv. Detyra e saj ishte të kontrollonte cilësinë e produkteve të gatshme në laborator.

Tani, thotë Lilia, ato po e nisin jetën nga e para. Instinkti i nënës i detyroi ta bënte këtë, kur kuptoi se në Harkiv, nën bombardimet ruse, ishin në rrezik jetët e djemve të saj 15-vjeçarë, ndërkaq në bodrum – rreziku nga uria.

Nga bodrumi drejt pasigurisë

Për shtatë ditë, Lilia dhe Tatiana dilnin nga një bodrum në Harkiv për të shkuar në shtëpinë e tyre, vetëm sa për t’u pastruar dhe për të gjetur pak ushqim. Kjo, thonë ato, ndodhte zakonisht në mëngjes kur bombardimet qetësoheshin. Granatat e para ranë herët në mëngjes.

“Ishim të humbura, nuk dinim çfarë të bënim, morëm gjërat më elementare dhe u morëm vesh me fqinjët që të na pranonin në bodrum. Aty vetëm kemi ndenjur, një herë në ditë kemi dalë për të kërkuar ushqim dhe kaq”.

Kur u mbaroi ushqimi, ato vendosën të rrezikojnë duke pritur në radhë për ta blerë atë. Kjo zgjaste pesë orë. Ndërsa bombardimet ofroheshin dhe shtëpia fqinje u godit, ato vendosën të largoheshin nga Ukraina.

“Ju duhet të ushqeni fëmijët dhe nuk e dini se çfarë do të ndodhë. Instinkti i nënës të thotë se duhet t’i marrësh fëmijët dhe t’i largosh nga aty. Nuk di se çka tjetër ose të qëndrojmë pa ujë, pa ushqim, pa asgjë”, thotë Lilia, nëna e binjakëve 15 vjeç.

Vëllezërit Timofii dhe Nikita Chebotarov në dhomën e tyre të re në Varshavë, 10 prill 2022

Njëri prej tyre, Tymofii, thotë se e kuptoi që në fillim se çfarë po ndodhte.

“Nuk ishte e vështirë për mua, ishte e vështirë për nënën tonë. E ndihmoja”.

Një mik i të dy motrave i dërgoi ato me makinë përtej kufirit.

Stacioni hekurudhor në Harkiv u bombardua, ndërkaq në vagonët për në Lviv kishte qindra njerëz, stacionet e metrosë ishte përplot, sepse njerëzit i përdornin si strehë.

“Burri im vdiq [më herët], sikurse edhe prindërit e mi, kështu që unë jam vetëm me motrën time. Burri i Tatianas qëndroi në Ukrainë”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ato mundën të qëndronin falas për dy javë në një hotel në Varshavë. Tymofii kujton se si fjeti natën e parë që mbërritën në Poloni:

“Kishim një divan të mirë në hotel. Pas dy ditësh udhëtimi nga Ukraina, nuk munda të fle dy ditë, kur arrita në Varshavë, fjeta mirë”.

Lilia Chebotarova me djemtë e saj 15-vjeçarë, Tymofii dhe Nikita, dhe motra e saj Tatiana Piman. Ata u larguan nga Harkivi në fillim të marsit. Tani ata po qëndrojnë në Varshavë të Polonisë, 10 mars 2022.

Më pas, vullnetarët dhe familja në Varshavë u ndihmuan që të gjenin një banesë, të cilën nuk kishte asgjë. Por, solidariteti sërish mbizotëroi dhe në banesë tashmë kanë enë, shtretër. Në Varshavë, ata kanë edhe vëllain e burrit të ndjerë të Lilës, si dhe djalin e Tatianës, i cili është njëzet e pesë vjeç.

Kishim një qytet shumë të bukur

I ndjekin lajmet, grupet në Facebook, për të ditur se çfarë po ndodh dhe nëse shtëpia e tyre është ende e paprekur.

“Zemra më gjakon”, thotë Tatiana. “Është shtëpia jote, familja jote, atdheu, gjithçka e jotja. Kemi qytet shumë të bukur, kishim qytet shumë të bukur”, thekson Lilia.

Ato thonë se nuk u mungon asgjë materiale. “Gjithmonë mund të punohet dhe fitohet, por shpirtin e kemi atje, jetën e kemi atje, farefisin”.

“Jeta, me siguri që më nuk do të jetë e njëjtë, gjithçka është shembur… U zgjuam dhe përnjëherë sikur të ishim në ndonjë film. Ajo më nuk është jeta e jonë, në të cilën shkuam në punë, ishim me familjen, gjithçka u përmbys. Duhet ta fillojmë jetën nga e para”, është e vetëdijshme Lilia.

Ato thonë se çdo ditë mund të presin gjithçka.

“Nuk është e mundur të planifikosh diçka, presim, ndërkaq duhet të vazhdojmë të jetojmë”.

Binjakët kanë nisur të shkojnë në shkollë. Ata kanë një njohuri deri në një nivel të polonishtes, sepse e kanë mësuar për një vit. Por, miq nuk kanë.

“Nuk kam miq [këtu]. Motra e nënës ka një djalë dhe ai është miku ynë”, thotë Timofii, i cili është në klasën e nëntë.

Në shtëpi merrej me sporte të ndryshme, thotë ai, me not, boks dhe i pëlqente të luante futboll. Edhe në Poloni dëshiron të luajë futboll, raporton REL.

“Po të kisha çizme do të luaja me Nikon dhe xhaxhain tim”, thotë Timofii.

Tatiana thotë se sollën me vete shumë pak nga Harkivi.

“E çfarë mund të paketosh për 20 minuta?”.

Ajo thotë se morën me vete dokumente, të brendshme, ushqime, një palë këpucë, gjëra për qenin.

“Kur do të përfundojë kjo”, pyet Tatiana, ndërsa në krahun e saj ulet Aja, një qen që lindi gjashtë këlyshë në mërgim. Timofii sjell një prej këlyshëve, thotë se quhet Kolja dhe është i preferuari i tij. Kur u lind ishte më i madhi, por tani është më i vogli dhe lufton me të tjerët.

Familja do t’i shesë këlyshët, thonë ata, ndonëse i bëjnë të lumtur dhe u ofrojnë një arratisje nga mendimet që i mbajnë në Ukrainë. Ata nuk presin më që lufta të përfundojë shpejt, siç menduan fillimisht. Negociatat ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë ngjallën shpresa, por ata kuptuan se bombat po binin edhe kur negociatat po vazhdonin.

Derisa tingëllima e tyre të mos shuhet, zhurma e gërshërëve që presin pamfletet me ofertat e punës përhapet në ajër, në një dhomë të një apartamenti refugjatësh në Varshavë.

Nuk dihet se sa apartamente u janë dhënë familjeve si Lilia dhe Tatiana.

Vlerësohet se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, më 24 shkurt, më shumë se gjysmë milioni refugjatë kanë kaluar nëpër Varshavë. Rreth 300,000 prej tyre vendosën të qëndrojnë në qytet, popullsia e të cilit u rrit për 17 për qind për një muaj.

Që nga fillimi i luftës, sipas UNHCR-së, më shumë se 4.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina.