Mediat e huaja raportojnë për 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Kosova sot shënon 15-vjetorin e pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008, pas një periudhe të mundimshme dhe të dhimbshme deri sa arriti mëvetësimin nga Serbia.

Edhe pse Kosova njihet si shtet i pavarur nga 117 vende, ajo përshkruhet si një nga rajonet me “konflikt të ngrirë” të Evropës për shkak të tensioneve të vazhdueshme me Serbinë në veri dhe mosqenies anëtare e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Për këtë rrugëtim të Kosovës kanë raportuar mediat me prestigjioze ndërkombëtare.

“Kosova festoi 15 vjetorin e pavarësisë me një paradë ushtarësh dhe policësh të brohoritur nga mijëra qytetarë në Prishtinë. Synimi i tyre është një marrëveshje normalizimi me Serbinë, që njëherësh është edhe çelësi i stabilitetit në një rajon”, shkruan Reuters.

Po sipas këtij mediumi, turmat që valëvitnin flamujt e Kosovës dhe shqiptarëve u rreshtuan në një rrugë kryesore në kryeqytet, ndërsa policia dhe trupat marshuan përpara, por nuk pati festime në veri të vendit ku minoriteti serb i ka rezistuar prej kohësh autoritetit të Prishtinës.

“Pavarësia jonë u arrit me luftë dhe sakrificë, por pavarësia jonë do të rritet vetëm me punë”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti para paradës, shkruan Reuters.

Tensionet me Serbinë vazhdojnë, ndërsa Beogradi vazhdon të mbështesë refuzimin e 50,000 pakicave serbe në veri të Kosovës për të pranuar pavarësinë e vendit, të shpallur pothuajse një dekadë pas një kryengritjeje kundër sundimit represiv serb.

Të dërguarit e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian po u bëjnë presion vendeve që të miratojnë një plan paqeje të paraqitur në mesin e vitit 2022, sipas të cilit Beogradi do të ndalonte lobimin kundër Kosovës që të ketë një vend në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.

Zyra e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, njoftoi se Kurti do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 27 shkurt në Bruksel për të diskutuar planin 11-pikësh.

Sipas tij, “Kosova do të angazhohej për të formuar një shoqatë gjysmë autonome të komunave me shumicë serbe në veri, ku serbët nacionalistë janë përplasur vazhdimisht me policinë duke u përpjekur të zbatojë vendimin e qeverisë së Prishtinës”, shkruan Reuters.

Ndërsa, Aljazeera, ka shkruar se “Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës. As Rusia, Kina dhe pesë vende të Bashkimit Evropian – Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia, të cilat e kanë ndalur rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”.

Rusia, një aleate e Serbisë, ka vënë veton ndaj anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara, shkruan mes tjerash Aljazeera.

“Vendi më i ri i Evropës, Kosova, të premten nisi festimet për 15-vjetorin e pavarësisë së saj nga Serbia fqinje me një paradë ushtarake, ceremoni vendosje kurora lulesh dhe një seancë të posaçme Parlamenti”, shkruan Ap News.

Por festimet janë të mbuluara nga tensioni i ringjallur me Serbinë, pavarësisht përpjekjeve perëndimore shumëvjeçare për të pajtuar ish-armiqtë. Të dy duan të hyjnë në Bashkimin Evropian dhe u është thënë se fillimisht duhet të kapërcejnë dallimet e tyre, shkruan ky medium.

Duke folur në kryeqytetin Prishtinë të premten, kryeministri Albin Kurti u largua nga dhuna e krijimit të Kosovës, duke e përshkruar vendin e tij – një nga më të varfëritë e Evropës – si “një projekt paqeje, një kontribuues për paqen dhe një garantues i paqes”.

“Kosova e dominuar nga shqiptarët shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë më 17 shkurt 2008. Kjo erdhi gati nëntë vjet pasi një fushatë bombarduese 78-ditore e NATO-s në 1999 i dha fund goditjes së përgjakshme të Serbisë ndaj separatistëve shqiptarë etnikë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë nuk shkel të drejtën ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara dhe shumica e fuqive perëndimore janë në mesin e 117 vendeve që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe rreth 200 organizata ndërkombëtare e kanë pranuar Kosovën si anëtare edhe pse jo Kombet e Bashkuara.

Serbia, e cila për shekuj e konsideronte Kosovën djepin e qytetërimit të saj, ende e sheh atë si pjesë të territorit të saj dhe refuzon të njohë pavarësinë e saj, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, shkruan Ap News.

“Kosova po feston 15 vjetorin e pavarësisë me një muaj festimesh duke filluar nga e premtja, ndërsa ende po përballet me sfida serioze me Serbinë, e cila refuzon të njohë autonominë e ish-krahinës së saj”, shkruan mediumi tjetër Columbian.

Një paradë ushtarake, ceremoni në monumentet e heronjve kombëtarë dhe një seancë speciale e parlamentit janë disa nga ngjarjet e përvjetorit të planifikuara në kryeqytetin, Prishtinë.

“Serbia, e cila me shekuj e konsideronte Kosovën djepin e qytetërimit të saj, ende e sheh atë si pjesë të territorit të saj. Rusia dhe Kina kanë mbështetur vazhdimisht qëndrimin e Serbisë, siç kanë bërë Algjeria, Maroku, Bjellorusia, Afrika e Jugut, Irani dhe vende të tjera që nuk duan të tërhiqen në mosmarrëveshje”, shkruan mes tjerash Columbian.

Ndryshe, Kosova njihet si “shteti më i ri në Evropë”, si në aspektin e të qenit shtet që është bërë i pavarur së fundmi, ashtu edhe për nga mosha e popullsisë.