Listës së deputetëve të VV-së kundër mosekzekutimit të pagave i shtohet edhe deputeti Agusholli

Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit nga ana e Qeverisë, ka krijuar ndarje sa i përket qëndrimeve edhe brenda deputetëve të partisë në pushtet.

Pas Eman Rrahmanit dhe Alban Bajramit, ka reaguar edhe deputeti Gramos Agusholli, që vjen nga qyteti i Pejës.

Për Shqip.com, Agusholli është shprehur se mosekzekutimi i pagave nuk do duhet të ndodhte për shkak të gjendjes ekonomike në Kosovë, ani pse ligjërisht është i drejtë.

“Unë mendoj se si veprim ligjërisht është i drejtë, por a duhet të aplikohet, mendoj se jo, për shkak të situatës ekonomike”, tha Agusholli.  

Por në anën tjetër sipas deputetit Agusholli, ekzekutimi i pagave duhet të bëhet vetëm pasi që mësimdhënësit të premtojnë se orët e humbura do të kompensohen gjatë javëve në vazhdim.

Veprimet e fundit të Qeverisë kanë nxitur reagime edhe nga partneri qeverisës i VV-së. Ditën e djeshme, deputetja Statovci dhe deputeti Avdyli, kanë dalur kundër vendimit për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit në Kosovë.