Lista Serbe: Targat KM do të funksionojnë normalisht

Pas arritjes së marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave ka ardhur edhe reagimi nga Lista Serbe.

Në reagimin e Listës Serbe thuhet se targat KM do të funksionojnë normalisht.

“Lista Serbe mirëpret marrëveshjen e arritur në Bruksel, duke konfirmuar se targat KM mbeten në përdorim, se askush nuk do t’i heqë dhe do t’u shqiptohen gjoba qytetarëve tanë që posedojnë automjete me targa KM. Duam të informojmë qytetarët se të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM do të mund të funksionojnë normalisht dhe kur të skadojë regjistrimi i tyre ekzistues do të mund të zgjasin vlefshmërinë e regjistrimit të KM si më pare” thuhet fillimisht në reagimin e Listës Serbe.

Mirëpo nga Lista Serbe kanën bërë të ditur se targat e reja nuk do të lëshohen tani për tani.

“Targat ekzistuese mbeten dhe do të mund të zgjerohen, dhe të reja nuk do të lëshohen tani për tani. Kujtojmë se qëndrimi ynë ka qenë që të mbajmë targa KM, të mos ua heqim pronën qytetarëve, të mos shkruajmë penalitete dhe as t’u pamundësojmë lirinë e lëvizjes. Kemi kërkuar që të mbesin targat KM, jo të rritet numri i tyre”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Në anën tjetër, në reagimin e Departamentit të SHBA-ve kërkohet normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Ne përgëzojmë më tej marrëveshjen e dy vendeve për t’u përqëndruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga BE. Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rruga më e mirë për të avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës” thuhet fillimisht në reagimin e SHBA-ve.

Po ashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës  mirëpresin vendimin e palëve për të vënë në krye të vendimmarrjes interesat e të gjithë njerëzve të tyre dhe për të ndërmarrë hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre.

“Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve” thuhet në reagim.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka shpërndarë një deklaratë të lëshuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell pas arritjes së marrëveshjes për targat në Bruksel me dy kryenegociatorët nga Kosova dhe Serbia.

Borrell ka konfirmuar që ditëve të ardhshme palët do të ftohen për të diskutuar për normalizimin e plotë. Tutje, ai ka thënë se mund t’i ndërpres negociatat, nëse palët e bllokojnë procesin.

Mes tjerash, në deklaratë thuhet se palët kanë rënë dakord që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe me urgjencë të përqendrohen te normalizimi i plotë i marrëdhënieve, përmes propozimit të njohur si franko-gjerman, të mbështetur nga BE, thuhet mes tjerash në deklaratë.