Kurti përmend anët pozitive të raportit, nuk flet për të gjeturat

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szyong, ia ka dorëzuar Raportin për Kosovën, kryeministrit Albin Kurti.

Shefi i qeverisë ka thënë se vendi ynë ka shënuar progres, përkundër krizave globale.

“Kosova përgëzohet për stabilitetin politik që ishte kërkuar nga BE-ja për shumë vitë. Vendi ynë ka shënuar progres në shumë fusha, përkundër krizave globale, siç ishte pandemia e inflacioni”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, njëra ndër arritjet që përmendet në raporti është edhe lufta kundër krimit e korrupsionit.

“Kemi dorëzuar dosjen e Vettingut në Kuvend, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Kemi rritur luftën kundër korrupsionit, kemi më shumë se 780 operacione kundër krimit dhe janë shkatërruar 15 laboratore të drogës e janë mbyllur 11 rrugë ilegale në veri të vendit”, tha Kurti.

Gjithashtu i pari i ekzekutivit ka folur edhe për hapjen e 25 mijë vendeve të reja të punës.

Sipas Kurtit, Kosova është vend evropian, me vlera evropiane dhe në politikën e jashtme, është e linjëzuar me shtetet e BE-së.

Ndërsa, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szyong, ka thënë se baza e progresit të shtetit është në duar Kosovës.

“Duhet të shikoni se ku është Kosova në këtë raport, ka shumë sfida në të cilat duhet punuar, duhet të nënvizoj se Raporti i Progresit ka propozuar që liberalizimi i vizave të bëhet menjëherë sepse Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet në këtë process”, tha Szyong.

Sipas tij Kosova ka bërë progres gjithashtu në sektorin e energjisë dhe në menaxhimin e emigracionit.

Ndryshe arritja e një marrëveshje të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, ka zërë vend të veçantë në raportin e publikuar nga Komisioni Evropian për vendin tonë për këtë vit./SHQIP.com