Krasniqi: Populli ia ktheu shpinën Albin Kurtit

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, derisa ka uruar kandidatin e kësaj partie për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, për rezultatet e bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, tha se skena politike në Kosovë ka ndryshuar.

Sipas tij, populli i Kosovës ka ndryshuar mënyrën e votimit krahasuar me tetë muaj më parë, duke i kthyer shpinën kryeministrit Albin Kurti.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës nuk e përkrahin “modelin e sunfimit nga një njeri”.

“Kjo është një natë e madhe për Partinë Demokratike të Kosovës sepse e ardhmja e qytetarëve të Kosovës është në duar të sigurta”, tha ai nga Prizreni.

“Pas këtyre zgjedhjeve, skena politike në Kosovë ka ndryshuar. Populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, sepse populli i Kosovës ia ka kthyer shpinën modelit të sundimit nga një njeri”, shtoi më tej Krasniqi, duke u shprehur krenar që “kandidatët e PDK-së u bënë kampion të këtij ndryshimi”.

Totaj në rezultatet preliminare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, ka arritur të fitojë 51.01 për qind të votave, duke lënë në vend të dytë, kryetarin e deritanishëm të Prizrenit, Mytaher Haskuka me gjithsej 49.09 për qind të votave. /Shqip.com