Kosova në pritje të dritës së gjelbër në fund të tunelit

E gjithë vëmendja e Kosovës është fokusuar tek mbledhja e komisionit në të cilin është parashikuar të diskutohet për procesin e liberalizimit të vizave.

Propozimi i Komisionit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës është ende në pritje të votimit nga Këshilli i BE-së, ku disa vende anëtare janë betonuar për një kohë të gjatë në refuzimin e dhënies së kosovarëve, lirinë e lëvizjes. 

Në raportin e publikuar të mërkurën, Komisioni Evropian i ka qëndruar prapa vlerësimit të nxjerrë korriku i 2018-s se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Këtë vlerësim e mbështeti edhe Parlamenti Evropian.

“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për vizë për të udhëtuar në zonën Schengen. Një dialog për liberalizimin e vizave filloi në vitin 2012. Në korrik 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i kishte përmbushur të gjitha standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe rekomandoi që Këshilli dhe Parlamenti Evropian të ec përpara me propozimin për liberalizimin e vizave. Komisioni vazhdon të qëndroj prapa vlerësimit të korrikut 2018 dhe do të ofrojë një përditësim teknik për të mbështetur vendimmarrjen nga Shtetet Anëtare të BE-së. Parlamenti Evropian, si në legjislaturën e mëhershme edhe atë të tashme ka votuar pro propozimin e Komisionit, por ky i fundit është ende në pritje të vendimit nga Këshilli”, thuhet në raportin për Kosovën.

Qëndrimet e vëna në këtë raport u mirëpritën nga pozita e opozita.

Gjatë prezantimit të raportit, Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Gjatë fjalimit të tij në Komisionin Evropian, Varhelyi tha se Kosova ka gëzuar stabilitet politik gjatë gjithë vitit dhe autoritetet vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre në rrugën drejt BE-së.

Gjatë pranimit të raportit nga shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Republika e Kosovës formalisht do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën e përshpejtimit të këtij procesi, si dhe nevojën urgjente të përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Çekia që mban presidencën e BE-së ka konfirmuar se të enjten do të diskutohet për procesin e liberalizimit të vizave 

“Mund të ju konfirmojmë se Qeveria e Çekisë, e cila kryeson Presidencën  e Bashkimit Evropian ka vendosur për diskutim në rend dite, çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën  në takimin e Grupit punues, që  mbahet sot (12 tetor) dhe nesër më 13 tetor. Tema e liberalizmit të vizave për Kosovën,  do të diskutohet nesër, më 13 tetor”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Çekisë për televizionin publik.

Kosova deri më tani ka kaluar 4 nga 13 fazat e parapara në liberalizimin e vizave.

Në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën. Një muaj më pas, Komiteti LIBE votoi pro këtij rekomandimi.

Pas votimit të Komitetit LIBE, në shtator të 2018’ës, Parlamenti Evropian konfirmoi mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave.

Një vit më pas, Komiteti LIBE votoi (sërish) për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.

Tash duhet që ambasadorët e Bashkimit Evropian të votojnë për liberalizimin e vizave dhe pas këtij votimi, do të pësonte mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

Më pas, ambasadorët e BE-së duhet të miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet.

Pastaj, Parlamenti Evropian voton për liberalizim dhe pas këtij hapi, Ambasadorët e Bashkimit Evropian votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave.

Më pas Këshilli i Ministrave të BE-së duhet të miratojë me shumicë të thjeshtë liberalizimin.

Pas këtyre votimeve, akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Vendimi më pas duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe më pas liberalizimi hyn në fuqi.

Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës vazhdojnë të mos mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Schengenit.

Sipas një raporti të publikuar nga Grupi për Ballkanin, nga viti 2016 deri në vitin 2021, ambasadat e vendeve të Schengenit i kanë pranuar 539,344 aplikime. Duke llogaritur mesataren më të vogël të mundshme, Kosovarët kanë paguar rreth 89 milionë euro për viza turistike për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së.

Gjithashtu, raporti vlerëson se kjo shifër është jashtëzakonisht e lartë për një vend me GDP-në vjetore prej 4,986 dollarë për kokë banori (2021) dhe një pagë mesatare prej 484 € (2021).

Përpos qytetarëve të thjeshtë, regjimi i vizave ia ka pamundësuar kompanive kosovare të kenë qasje të barabartë me fqinjët e tyre në tregjet evropiane.

“Marrëveshja për Stabilizim e Asociim me BE-në (2015) ka pasur efekte më të vogla për Kosovën, sesa për vendet tjera të rajonit, mu për shkak të mos lëvizjes së lirë te njerëzve. Nuk mund të ketë lëvizje të lirë të mallrave e shërbimeve (siç parashihet në MSA) pa lëvizje të lirë të njerëzve. Rrjedhimisht, kompanitë kosovare, në krahasim me rajonin, kanë qenë gjithnjë në disavantazh dhe kanë mundësi më të pakta. Kompanitë kosovare, të anketuara nga Grupi për Ballkan, konsiderojnë se regjimi i vizave ka ndikuar negativisht në qarkullim me 15-50%”.

Prandaj, thotë Grupi për Ballkanin, të dhënat dhe argumentet e paraqitura në raport duhet të shtyjnë edhe më shumë vendet e BE-së që të miratojnë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe atë sa më parë që të jetë e mundur.