Kina thotë se pretendimi që Rusia i kërkoi ndihmë është “dezinformim”
Publikuar:
(14.03.2022 10:02:15)
Kina i ka quajtur “dezinformim” pohimet e zyrtarëve amerikanë se Rusia i kërkoi Pekinit t’i jepte ndihmë ushtarake në Ukrainë.
Zyrtarë të paidentifikuar u thanë mediave të shumta amerikane se Rusia i kërkoi Kinës ndihmën për pushtimin e saj, shkruan BBC.
Kjo bëri që SHBA-ja të paralajmëronte Pekinin se do të përballej me “pasoja” të ashpra nëse mbështet Moskën.
Por duke folur në një konferencë shtypi në Pekin, një zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze akuzoi Uashingtonin për përhapjen e gënjeshtrave “dashakeqe” rreth rolit të Kinës në luftë.
Zëdhënësi këmbënguli se Kina kishte “luajtur një rol konstruktiv në nxitjen e paqes dhe thirrjen për negociata”.