Hovenier: Sulmet ndaj EULEX-it dhe Policisë së Kosovës janë të papranueshme

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë se ShBA-ja dënon sulmin ndaj patrullës së EULEX-it në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Hovenier tha se edhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar të sigurisë janë të papranueshme.
“SHBA bashkohet me EULEX-in për të dënuar me forcë sulmin ndaj një patrulle të tyre mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar të sigurisë janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës nëpërmjet sistemit të drejtësisë kosovare”, shkroi Hovenier.

Misioni i EULEX-it në Kosovë ka njoftuar se është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle të tyre mbrëmë në afërsi të Rudarit.
EULEX flet për Shqip.com, konfirmohet sulmi ndaj tyre në veri – SHQIP.com
EULEX-i për Shqip.com tha se nuk ka të lënduar por vetëm janë shkaktuar dëme materiale.
Gjatë ditës së djeshme, serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.
Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.
Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.
Ai ka shkruar se shteti ynë është shtet evropian, që e dëshiron paqen dhe progresin.
Sipas tij, çdo mosdënim i vendosur nga ana e BE-së dhe ShBA-ve i kësaj dhune të orkestruar do të inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës.