Hill: Serbia e ka përqafuar të ardhmen e saj evropiane

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Serbi, Christopher Hill ka thënë se Serbia ka përqafuar të ardhmen e saj evropiane me marrëveshjen e Ohrit me Kosovën.

Përmes një postimi në Twitter, Hill tha se ky hap i Serbisë ishte i mençur dhe i guximshëm.

“Përfundimi më i rëndësishëm nga bisedimet e Ohrit: Serbia ka përqafuar të ardhmen e saj evropiane dhe një plan të qartë se si të arrijë atje— një vendim që mori mençuri, integritet dhe guxim. Mbetet shumë punë dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap të rrugës’, shkroi Hill.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka bërë publik planin e për zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Në shtojcën e publikuar thuhet se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.