Harris: Historia do të tregojë se Putin përfundoi duke forcuar NATO-n dhe duke dobësuar Rusinë

Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, vazhdon të theksojë se SHBA nuk do të dërgojë trupa për të luftuar forcat ruse në Ukrainë.

“Ajo që ne nuk do të bëjmë dhe duhet thënë gjithashtu, siç ka thënë vazhdimisht Presidenti, ne nuk do të vendosim trupa amerikane në Ukrainë për të luftuar rusët në tokë ose në ajër. Por ne jemi të vendosur në gatishmërinë tonë për të mbrojtur aleancën tonë të NATO-s dhe aleatët tanë, çdo centimetër të territorit të NATO-s, dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.”

Ajo tha se së bashku me aleatët do të rivlerësojnë atë se çfarë po bëhet me sanksione.

Gjithashtu Harris, ka thënë se SHBA, po monitoron nga afër veprimet e Rusisë dhe po shikon nëse ka pasur shënjestrim të qëllimshëm të civilëve dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar, raporton CNN.

“Jemi shumë të shqetësuar dhe po e monitorojmë. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se nëse ka ndonjë shënjestrim të qëllimshëm të civilëve, ne po shikojmë faktin se mund të ketë një shkelje, të ligjit ndërkombëtar. Pra, kjo është një çështje që ne të gjithë duhet t’i kushtojmë vëmendje. Është mizore dhe është një shkelje e të gjitha standardeve dhe parimeve që ne, veçanërisht si vende të NATO-s i marrim seriozisht në drejtim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të çdo kombi”, tha Harris.

Harris tha se SHBA do të vazhdojë të ofrojë ndihmë humanitare, si dhe ndihmë për sigurinë për popullin e Ukrainës.

Harris tha se Rusia tashmë po i sheh efektet e masave hakmarrëse ekonomike që SHBA ka vendosur kundër kombit.

“Ajo që do të tregojë historia është se Vladimir Putin në thelb përfundoi duke forcuar NATO-n dhe duke dobësuar Rusinë”, tha zëvendëspresidentja

Harris tha se ajo foli të martën me krerët e Letonisë, Lituanisë, Sllovenisë dhe Rumanisë për mënyrën se si SHBA do të vazhdojë të mbështesë aleatët e saj.

Ajo vlerësoi gjithashtu presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se ai “ka treguar guxim të jashtëzakonshëm” dhe “ka qenë një frymëzim për të gjithë ne”.