Fjalimet e liderëve të shtetit në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës i ka hapur dyert për seancën solemne të Kuvendit, me rastin e 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Presidentja Vjosa Osmani tha se në këtë ditë duhet t’i kujtojnë të gjithë ata që kontribuuan në formimin e shtetit të Kosovës.

Kam nderin që në ditëlindjen e 15 të Republikës tonë të mund të ju drejtohem nga institucioni që bart një peshë…Ta kujtojmë sakrificën e pashembullt dhe qendresën e brezave. Ta kujtojmë presidentin historik Ibrahim Rugovën, t’i kujtojmë bijtë e bijat tonë të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës…të kujtojmë kontributin e ushtarëve të policisë, si dhe të ushtarëve e FSK përderisa ne sot po festojmë ata po luftojnë për shpëtimin e jetëve nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti në Turqi”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj tha se ka kënaqësinë që të shënojë këtë ditë në Kosovë.

Jemi një komb që ka kontribuar për paqen në rajon dhe Evropë, pavarësisht se i ndarë nga kufijtë. Pavarësia e Kosova ishte drejtësia shekullore që komuniteti ndërkombëtar i detyrohej Kosovës. Dita e shpalljes së Pavarësisë na kujton forcën e qëndresës së popullit shqiptarë. Është një ditë krenarie”, ka thënë Begaj.

Ai po ashtu tha se me mirënjohje kujtojnë komandantin legjendar, Adem Jasharin si dhe luftëtarët e lirisë.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca tha se i kujton dhe nderon dëshmorët e lirisë.

Sot është ditë feste, dita e Pavarësisë. Ky moment na bashkon të gjithëve. Kujtojmë dëshmorët tanë të pavdekshëm, kujtojmë dhe i nderojmë martirët tanë të ndritur. Nuk i harrojmë të pagjeturit që na mungojnë, gratë dhe burrat që u dhunuan e torturuan. Nuk i harrojmë ata që mbajtën me vite të tëra burgje ashtu që fëmijët tanë të jetojnë në liri. Po ashtu i përkulemi popullit për qëndresën shekullore. Në nuk harrojmë miqtë tanë që na ndihmuan në arritjen e lirisë dhe pavarësisë. Por nuk do ta harrojmë gjenocidin që bëri Serbia mbi popullin tonë”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se 17 shkurti është ditëlindja e Pavarësisë së Kosovës.

“Vërtetë shkurti është muaj me më pak ditë, por mes tyre nga denduria e peshës kombëtare e historike ka efekt zgjatues të kësaj periudhe të vitit. Ajo është dita e 17 e muajit shkurt, ditëlindja e Pavarësisë së Kosovës…., ka thënë Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Memli Krasniqi e hapi fjalimin e tij me fjalën hyrëse të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, lexuar 15 vite më parë nga ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Në historinë e këtij kuvendi dhe të shoqërisë nuk ka fjalë që janë pritur më gjatë e më shumë se sa lajmi që vinte përmes saj. Fjalë që peshojnë në çdo zemër të qytetarëve të Kosovës, që përmbledhin një rrugëtim të gjatë historik, një vetëdije të gjerë shoqërore. Me kërkesë të drejtë e legjitime politike dhe një aspiratë për t’i dhënë Kosovës emrin e saj të vërtetë, shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Krasniqi.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se po shënojnë një datë të rëndësishme të popullit të Kosovës.

“Po e shënojmë sot datën më të rëndësishme të popullit të Kosovës, atë të 17 shkurti, si akt të kulmimit të një rrugëtimi të gjatë të dhimbshëm e të lavdishëm”, ka thënë Abdixhiku.