Dosja e Prokurorisë shpalos deklaratën e para disa muajve të gruas shtatzënë që u vra

Gruaja e cila mbrëmë është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj, kishte raportuar muaj më parë se vazhdimësi kishte dhunë nga ai.

Së fundi, Kallxo.com ka siguruar dosjen e prokurorisë në të cilët përfshihet deklarata e viktimës, muaj më parë.

“Do ta vras burrin e motrës dhe do të bëj seks në prezencën tënde”. Këto ishin fjalët e të dyshuarit që ishin raportuar në organet ndjekëse nga viktima Hamide Magashi në korrik të këtij viti.

Tashmë e ndjera, kishte deklaruar se në çdo vizitë të cilën e kishte bërë te familja e saj kishte qenë nën përcjelljen e vjehrrës dhe vëzhgimin nga afër të bashkëshortit.

Përpos dhunës,  Magashi kishte deklaruar edhe se çdo pagë të cilën e realizonte nga puna në Komunën e Ferizajt ia dorëzonte bashkëshortit duke ia paguar kështu edhe gjobat në trafik.

Krahas të gjitha këtyre, Magashi kishte deklaruar se ishte kërcënuar edhe me armë nga bashkëshorti i saj.

Të gjitha këto pretendime ishin mohuar nga Sokol Halili.

Pas këtyre deklaratave në fund të muajit korrik të këtij viti ishte bastisur shtëpia e të dyshuarit Sokol Halili.

Gjatë kontrollit atij i ishin gjetur dy armë, njëra pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas.

Pasi ishte intervistuar në lidhje me këto armë të konfiskuara, i dyshuari me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte liruar në procedurë të rregullt.

Për armëmbajtje pa leje Sokol Halili ishte dënuar në shtator të këtij viti me gjobë prej 300 euro.

Përpos akuzës për armbëtjeje pa leje, në gusht të këtij viti Sokol Halili ishte akuzuar edhe për veprën penale – kanosjes, ku rasti është duke u trajtuar.

Kujtojmë se në mbrëmjen e djeshme është vrarë një grua shtatzënë në oborrin e QKUK-së nga një person i cili dyshohet se është ish-bashkëshorti i saj.

Policia e Kosovës ka gjetur veturën e personit që dyshohet se vrau 35 vjeçaren në QKUK.

Sipas raportimeve, vetura është gjetur në Shtime në parkun “Ahmet Shtimja”.

Sipas njoftimit nga Gjykata më datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëgjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje.

Kurse, sot është mbajtur protestë lidhur me këtë rast.

Disa nga protestuesit kanë hedhur edhe zjarr në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Thirrjet e protestuesve ishin nga më të ndryshmet: Me pankartat “Historinë e Kosovës po e shkruani me gjak të grave”,  “Dorëheqja nuk mjafton”, “Polici i keni duart me gjak”, “Hapësirat private e publike të pasigurta”.