Dita e katërt e tensioneve në veri

Mitrovica e Veriut

Kosova ka hyrë në ditën e katërt të tensioneve në katër komunat veriore të vendit (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan).

Serbët gjetën arsye të ngritin tensionet pas suspendimit të Drejtorit të Policisë për rajonin e Veriut.

Kjo solli largimin e mbi 500 zyrtarëve policor, gjykatësve, kryetarëve dhe këshilltarëve komunal.

Serbët gjithashtu, mbajtën një protestë, duke akuzuar institucionet e Kosovës për presion.

Në të njëjtën linjë janë edhe qeveritarë nga Serbia.

Kryeministri i vendit Albin Kurti, këto hapa i cilësoi si pjesë e planit të Serbisë për të mos pranuar dokumentin franko-gjerman.

Ai dha shenja mbështetjeje për këtë plan, derisa pranoi se Kosova ka dërguar përgjigjet e saj në Bruksel.

Publikimi i këtyre detajeve erdhi pak kohë pasi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, bëri të ditur se Kosova dhe Serbia po diskutojnë për përmbajtjen e planit që nga pranvera e këtij viti.

Deri më tani, zyrtarët qeveritarë të Kosovës dokumentin në fjalë e kishin quajtur të rremë.

Gjatë së hënës vijimësisë së dorëheqjeve iu bashkëngjit edhe Lista Serbe, deputetët e së cilës dorëzuan mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Krerë të institucioneve qendrore mbajtën takime, derisa ende nuk është përcaktuar se si do të veprohet tutje.

Nga ana tjetër, bashkësia ndërkombëtare, ka bërë thirrje vazhdimisht që palët të mos nxisin rritje të tensioneve, ndërsa Kosovës i është kërkuar që ta shtyjë vendimin për targat sipas propozimit të BE-së dhe SHBA-ve për 10 mua, si dhe të nis procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Deri më tani, kreu i qeverisë kosovare, nuk ka dhënë shenja se do ta bëjë ndonjërën prej tyre.