Ambasada zvicerane inkurajon qytetarët të votojnë

Ambasada e Zvicrës në Kosovë

Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka inkurajuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet lokale për kryetarë komunash dhe kuvende komunale që mbahen sot, e diel.

Në thirrjen e ambasadës drejtuar qytetarëve thuhet se “zëri juaj ka rëndësi”.

“Si një mbështetëse e fortë e parimeve demokratike, Zvicra inkurajon të gjithë qytetarët që kanë të drejtë në Kosovë, burra dhe gra, të japin votën e tyre në zgjedhjet e sotme komunale”, thuhet në thirrjen e ambasadës zvicerane në Facebook

Për zgjedhjet lokale të 17 tetorit – janë të certifikuara 18 parti politike, një koalicion, 17 iniciativa qytetare dhe 12 kandidatë të pavarur.

Kutitë e votimit në 38 komuna të Kosovës ku po zhvillohen zgjedhjet, janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit mbyllën 12 orë më pas; pra ora 19:00. Deri tani nuk është raportuar për ndonjë incident, veçse Prokuroria Speciale ka njoftuar katër persona me inicialet A.D., M.K., A.T dhe Xh.B, janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës pasi që dyshohen për blerje të votës.