Ambasada e Italisë thotë se sulmet ndaj policisë dhe EULEX-it janë të pajustifikueshme

Lidhur me sulmin ndaj patrullës së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, ka reaguar edhe Ambasada e Italisë.
Përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në Twitter, Ambasada e Italisë thotë se e dënojnë sulmet të cilat sipas tyre nuk janë të justifikueshme.
“Sulmet ndaj policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së komunitetit ndërkombëtar si EULEX-i nuk kanë justifikime fare. Ne i dënojmë këto veprime me termat më të forte”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Italisë në Kosovë.
Misioni i EULEX-it në Kosovë ka njoftuar se është hedhur një shok-bombë në drejtim të një patrulle të tyre mbrëmë në afërsi të Rudarit.
EULEX flet për Shqip.com, konfirmohet sulmi ndaj tyre në veri – SHQIP.com
EULEX-i për Shqip.com tha se nuk ka të lënduar por vetëm janë shkaktuar dëme materiale.
Gjatë ditës së djeshme, serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejt organeve të drejtësisë.
Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.
Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.
Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në veri, ku janë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke thënë se agresionit do t’i përgjigjen me gjithë fuqinë që e ka Kosova si shtet.