Abdixhiku: Mbështesim angazhimin e institucioneve në shtrirje të ligjshmërisë në gjithë territorin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar për ngjarjet e sotme në veri të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” tha se mbështesin angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës.
“Mbështesim angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës. Reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran.
Dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit. Mbështetja për ta është domosdoshmëri.
Koordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë në parandalimin e çfardo provokimi nga Serbia brenda territorit të Kosovës është esencial. Në këto momente, Kosovës i duhet stabilitet, ligjshmëri dhe siguri”, ka shkruar Abdixhiku.

Mbështetje i kanë ofruar Qeverisë edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Theksojmë se të dielën, rrugët janë bllokuar edhe në pjesë të tjera në veri të Kosovës.
Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një adresimi në faqen e tij në Facebook, ka paralajmëruar se në orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike.
Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve – për shkak të bllokadave të vendosura dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative./Shqip.com