Limaj viziton familjen e Rexhep Selimit: Figurat kyçe të UÇK-së do të kthehen fitimtarë e triumfues

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj sot ishte për vizitë në familjen e Rexhep Selimit në Klinë, i cili vazhdon të mbahet në paraburgim Hagë.
Limaj thotë se me dy vëllezërit e Selimit, folën rreth besimit se figurat kyçe të UÇK-së do të kthehen fitimtarë e triumfues, ndaj shpifjeve e fabrikimeve që janë bërë kundër luftës së drejtë të UÇK-së.
“Sot me bashkëpunëtorë ishim për vizitë në Klinë, në familjen e mikut tonë dhe bashkëluftëtarit, Rexhep Selimi, që për më shumë së dy vite ai, bashkë me disa nga shokët tanë, po vazhdon të mbahet në Hagë, në mbrojtje të luftës së lavdishme të ushtrisë sonë çlirimtare. Me dy vëllezërit e Rexhës, Ilaz e Naim Selimin, bashkëbiseduam rreth besimit tonë të madh, se figurat kyçe të UÇK-së, do të kthehen fitimtarë e triumfues, ndaj shpifjeve e fabrikimeve që janë bërë kundër luftës së drejtë të UÇK-së.Krenar me UÇK-në dhe luftën saj të drejt, të pastër e të lavdishme.”, ka shkruar Limaj.

Ndryshe, më 11 nëntor, në paraqitjen e tij të parë, Selimi është deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.
Aktakuza ndaj Rexhep Selimit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Ai akuzohet për krime kundër njerëzimit që pretendohet se janë kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë./SHQIP.com