Lajme

Ligji për Zgjedhjet, Haradinaj: Lajm i mrekullueshëm, lehtëson votimin

Ramush Haradinaj - kryetar i AAK-së
Ramush Haradinaj - kryetar i AAK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, votimin e Ligjit për zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë e ka quajtur lajm të “mrekullueshëm”.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se ky ligj nuk paraqet një reformë thelbësore të sistemit zgjedhor, por që, sipas tij, ka adresuar disa prej shqetësimeve serioze që kanë qenë një brengë jo vetëm për AAK-në, por edhe për partnerët ndërkombëtarë.

“Ai e lehtëson në masë të madhe votimin e bashkëkombësve tanë në diasporë, duke e mundësuar votimin fizik në përfaqësi diplomatike si dhe votimin me postë, garanton numërim transparent e të mbikqyrur të votave per kandidatë, shkurton kohën e numërimit për parti politike, heqë heshtjen zgjedhore që ishte shndërruar në kurth për ndëshkimin e subjekteve zgjedhore, inkurajon partitë politike që të kandidojnë më shumë gra, si dhe disa ndryshime të tjera që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e zgjedhjeve në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.

Tutje, Haradinaj tha se është i lumtur që edhe përfaqësuesit e Aleancës, “kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në hartimin e këtij Ligji, por edhe në arritjen e koncensusit politik i cili ka reflektuar edhe në votimin e sotëm në Parlament”.

/Shqip.com