Liburn Aliu sqarohet rreth vendimit për tiketën 5-euroshe dhe punësimin e motrës dhe vajzës së axhës në MSH

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është deklaruar rreth vendimit për tiketën prej pesë eurosh për automjetet, duke thënë se ky vendim është nënshkruar në qershor nga zëvendësministri Hysen Durmishi, mbi bazën e një opinioni ekzistues nga zyra e kryeministrit dhe disa ministrive nga koha kur Qeveria drejtohej nga Avdullah Hoti, transmeton Shqip.com.
Siç shprehet Aliu, Durmishi ka pasur autorizim ligjor nga ai për të nënshkruar kontratën për tiketën ngjitëse, mirëpo më vonë është vërejtur se në dosje mungojnë disa dokumente.
“Kur është publikuar nënshkrimi i kontratës është përmendur një raport tjetër auditimi që e thotë të kundërtën, nga i njëjti auditor për të njëjtën çështje”, ka thënë ai në “Kallxo Përnime”.
Përveç kësaj çështje, Aliu në këtë intervistë ka folur edhe rreth punësimit të motrës së tij dhe kushërirës në këshillin drejtues të Odës së Farmacistëve të Kosovës.
Ministri mohoi që afërsia e tij të ketë ndikuar në punësimin e tyre, duke thënë se për angazhimin e tyre në Odën e Farmacistëve është marrë për bazë përgatitja profesionale.
“Me aq sa kam kuptuar unë angazhimi i saj në këshill është bërë me kërkesën e ministrisë. Së pari e kam pyetur motrën, ajo më ka thënë: po më kanë ftu. Përzgjedhja në këshill nuk ka të bëjë me Suljote Aliu, motrën e Liburn Aliun, as që kam të bëjë fare me këtë punë”, ka thënë Aliu.
Angazhimin e motrës së tij në këshillin e OFK-së ai e ka quajtur normale, duke thënë se Suljote Aliu nuk merr rrogë por paguhet vetëm për takimet që mban këshilli.
Lidhur me punësimin e Nita Kelmendit Hysa në këshillin mbikëqyrës të Odës së Farmacistëve të Kosovës, Aliu ka thënë se është marrë për bazë përgatitja profesionale.
“Edhe Nita edhe Sujota më shumë janë dëmtuar për faktin që është motra ime dhe vajza e axhës”, ka thënë ai. /Shqip.com