Lajme

Liberalizimi i vizave – Sinjale pozitive nga “korridoret” e BE-së

Pak ditë para mbajtjes se takimit të Këshillit të BE-së, një delegacion nga Kosova po bënë përpjekjet finale për të bindur shtetet skeptike që të votojnë pro heqjes së vizave për kosovarët. 

Anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë kanë takuar në kryeqytetin e Bashkimit Evropian-Bruksel, zyrtarë të shumë shteteve hezituese.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Parlamentin Evropian

Kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, ka thënë për Shqip.com, futja e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendë të takimit të 13 tetorit, tregon për sinjale më pozitive për finalizimin e këtij procesi.

“Fakti që Kosova dhe çështja e liberalizimit të vizave është futur në agjendën e BE-së, është sinjali i parë pozitiv për lëvizjen nga pozita që jemi për momentin. Pra priten lëvizjet e para në këtë drejtim më 13 tetor. Por unë jam pak më realist dhe mendoj se gjithçka merr fund, vetëm kur të ipet drita e gjelbër pas takimit”, tha Abazi.

Tutje ai ka thënë se gjatë vizitës një javore në shtetet e BE-së, delegacioni nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, kanë zhvilluar edhe takime me zyrtarë të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën, si Spanja dhe Rumania.

“Në bazë të diskutimeve që janë zhvilluar, shumica e shteteve janë në përkrahjen tonë, e sidomos në temën e liberalizimit të vizave, të gjithë janë në anën tonë. Atje kemi zhvilluar takime edhe me zyrtarët e shteteve që nuk na kanë njohur si Spanja dhe Rumania, dhe na është ofruar mbështetje për anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha për Shqip.com, Haki Abazi.

Ndërsa anëtari tjetër i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë të kenë marrë premtime se nuk do të ketë pengesa sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, së bashku me Ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami

“Kemi pasur shumë takime gjatë vizitës tonë dhe ka qenë synim i yni që të flasim për liberalizimin e vizave. Po ashtu synim ka qenë përpjekja për të ndikuar në 5 shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën. Janë procese për të cilat askush nuk mundet me garantu. Por takimet kanë qenë interesante nga delegacionet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe të gjitha janë deklaruar që nuk do ta pengojnë Kosovën për liberalizmin e vizave, paçka se ka rezerva për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Haliti.

Për Shqip.com, anëtari i këtij komisioni nga partia më e madhe opozitare, tha gjithashtu se i takon Qeverisë së Kosovës, që të krijojë mekanizma në mënyrë që të lobohet më seriozisht për integrimin e vendit edhe në Këshillin e Evropës.


Mirëpo, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, shprehet se nuk ekziston ende një garancion se liberalizimi i vizave do të ndodhë.

“Kemi pasur agjenda të ngjeshura, kemi takuar edhe eurodeputetë gjatë vizitës tonë. Ne kemi qenë të bashkuar rreth temave me interes nacional, pavarësisht ndasive partiake. Kemi konsideruar se çështja e vizave është e vonuar, sepse kriteret janë plotësuar që nga viti 2018”, tha Kadriaj për Shqip.com

Për më tepër, deputetja Kadriaj tregon se në takimet e zhvilluara kanë kërkuar nga kolegët evropian që janë pro Kosovës në këtë rrugëtim, të lobojnë tek shtetet që e kanë kundërshtuar në të kaluarën procesin e liberalizimit të vizave.

Komisioni Evropian e lansoi dialogun për liberalizim të vizave me Kosovën për herë të parë më 19 janar të vitit 2012. Ndërsa në qershor të po atij viti, Komisioni i dorëzoi autoriteteve të Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, i cili identifikoi masat legjislative dhe institucionale që Kosova do duhej t’i miratonte dhe zbatonte për të përparuar drejt liberalizimit të vizave.

Mbledhja e Këshillit të BE-së, i caktuar të mbahet më 13 tetor, po shihet si njëri ndër takimet më të rëndësishme për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave në vitet e fundit. Komisioni Evropian dhe Parlamenti i Evropës disa herë kanë konfirmuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e vendosura për liberalizimin e vizave dhe se kosovarët moti kanë merituar lëvizjen e lirë./Shqip.com