Lajme

LDK vendos që fushatën ta mbajë vetëm pesë ditë, kundërshton shtyrjen e zgjedhjeve lokale

Mbledhja e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur që fushata zgjedhore në zgjedhjet lokale të shkurtohet nga 30 në vetëm pesë ditë, dhe varësisht nga gjendja pandemike të mos mbahet fare, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, LDK ka bërë të ditur që fushatën do ta bëjnë vetëm në formë digjitale dhe në tubime duke i respektuar në përpikmëri rregullativën në vend mbi tubimet publike.

Po ashtu, u bë e ditur se gjatë kësaj mbledhjeje është diskutuar edhe domosdoshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve më 17 tetor brenda kornizave kushtetuese

“Në mbledhje u diskutua dhe domosdoshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve me 17 tetor, brenda kornizave kushtetuese e demokratike të Kosovës. Kryesia e LDK-së edhe njëherë fton të gjithë akterët politik, shoqërinë civile, mediat dhe botën akademike që të rreshtohen kundër tendencës për të prekur zgjedhjet të cilat janë themel i demokracisë”, thuhet ndër tjerash në postim.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur në takim krerët e partive politike në vend për të diskutuar shtyrjen e datës së mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

Kurse, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës i ka rekomanduar Osmanit t’i shtyjë zgjedhjet lokale për shkak të rritjes së numrit të rasteve me Coronavirus./Shqip.com