LDK: Kosova ka mbi 1600 persona të zhdukur në luftë, përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të zhdukur ndërsa Kosova ka ende mbi 1600 persona të zhdukur në luftë.
Përmes një komunikate për media, LDK-ja tha se tash e 23-vjet familjarët janë duke pritur me ankth për ndonjë lajm për më të dashurit e tyre.
“Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, ndërsa Kosovës ende i mungojnë më shumë se 1600 persona të zhdukur nga lufta e fundit. Tash e 23 vjet familjarët e të zhdukurve presin me ankth për ndonjë lajm për më të dashurit e tyre. Është detyrë e institucioneve të Kosovës dhe secilit prej nesh që të bëjmë sa më shumë dhe ta kemi prioritet çështjen e personave të zhdukur, derisa fati i tyre nuk është zbardhur; ndërsa dhimbja dhe vuajtjet e familjeve vazhdon të jetë e rëndë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Tutje, nga LDK-ja thonë se përgjegjësit që kanë bërë krime mbi popullin e Kosovës duhet të dalin para drejtësisë.
“Përgjegjësit që kanë bërë krime mbi popullin tonë; vrasje, dhunime, maltretime, si dhe për fatin e të zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë”.
Nga LDK-ja thonë se çështja e të pagjeturve është plagë e hapur e të gjithë popullit./Shqip.com