LDK-ja kërkon dorëheqjen e Nagavcit pasi e shkeli Kushtetutën

Është kërkuar dorëheqja e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kjo kërkesë për dorëheqje erdhi nga pasi që Gjykata Kushtetuese ka gjetur dje se Nagavci e ka shkelur Kushtetutën duke ndërhyrë në kompetencat e komunës së Kamenicës për reformën në arsim.
Xhafer Tahiri, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se Kushtetuta duhet të mbrohet nga qytetarët, pasi sipas tij pushteti po e shkelë atë.
“Qytetarët duhet që ta mbrojnë Kushtetutën, veçanërisht kur Kushtetuta shkelet nga pushteti. Kosova ka ndërtuar një standard demokratik të respektimit të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese më të mirë në rajon. Ne si subjekt e kemi dhënë shembullin e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në secilin rast”, deklaroi ai gjatë konferencës për media.
E sa i përket Qeverisë, Tahiri ka thënë se për një vit e ka shkelur dy herë Kushtetutën.
“Të vërtetuar me aktgjykime të plotfuqishme të Gjykatës Kushtetuese. Rasti i parë ishte për Këshillin e Pavarur të Shërbimit Civil të Kosovës, e rasti më i freskët është aktgjykimi i Kushtetueses me të cilën u vërtetua se ministrja e Arsimit , Arbërie Nagavci e ka shkelur Kushtetutën”, ka thënë ai.

Ndërsa nga ana tjetër, Jehona Lushaku-Sadriu, ka komentuar vendimin e Kushtetueses lidhur me ministren Nagavci.
Lushaku-Sadriu ka thënë se vendimi i Kushtetueses vërteton se Nagavci dhe MAShT-i e kanë shkelur Kushtetutën, duke u përzier në reformën në arsim në nisur në Kamenicë nga ish-kryetari Qëndron Kastrati.
“Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jo kushtetues vendimin për riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës i nxjerr me 23 prill 2021, që është marrë nga ministra e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përkatësisht nga ministrja Arbërie Nagavci. Ky vendim vërteton se MASHT ka shkelur Kushtetutën duke tejkaluar kompetencat e saj dhe ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës.

Ajo ndër të tjera ka bërë të ditur se vendimi tregon se Qeveria e ka keqpërdorur arsimin për fitime elektorale.
“Ky vendim përveç që është jo kushtetues tregon se si Qeveria aktuale e ka përdorur arsimin për fitime elektorale. Ju kujtojmë që ky vendim është marrë pikërisht në kohë fushate gjatë zgjedhjeve të kaluara”, tha zyrtarja e LDK-së.
Ajo kritikoi ministren Nagavci që nuk dha dorëheqje, pasi që sipas saj një ministre si Nagavci nuk mund ta udhëheq arsimin./Shqip.com