Lajme

LDK dhe VV koalicion në Junik për ta përmbysur AAK-në

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje në Junik, kanë arritur koalicion për balotazhin e 14 nëntorit.

Kështu ka njoftuar kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu.

“Ky moment është historik për Junikun sepse fitorja jonë me 14 nëntor dhe ndryshimi pas 12 viteve në Junik është i pandalshëm”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, njoftoi se së shpejti do ta publikojnë edhe planin e përbashkët qeverisës.

Ai ka thënë se bashkë me VV-në e kanë shumicën në asamble, 9 nga 15 ulëset e Kuvendit Komunal.

“Padyshim që do të kemi edhe përkrahjen e nevojshme nga Qeveria e Kosovës për të realizuar projektet tona zhvillimore për Junikun”, ka thënë ai.  

“Kur kësaj i shtojmë edhe mbështetjen pa rezervë që kemi nga mërgata e Junikut, nuk mbetet asnjë dilemë se me 14 nëntor do të konfirmohet fitorja jonë në Komunën e Junikut”.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka arritur ta fitojë Junikun pa balotazh.

Kështu gara në balotazh është ndërmjet AAK-së dhe LDK-së, tash e mbështetur nga VV. /Shqip.com