Latifi: Vuajtjet e familjarëve të viktimave do të lehtësoheshin kur do të zbardhej fati i të pagjeturve

Vuajtjet e familjarëve të viktimave do të lehtësoheshin kur do të zbardhej fati i të pagjeturve, ka thënë Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, në fjalimin e mbajtur me rastin e 23 vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe.
Latifi ka thënë se plaga e Krushës së Madhe vazhdon të kullojë gjak edhe sot.
“Ky gjak nuk thahet e nuk zhbëhet pasi vazhdimisht po ujitet me lotin e nënave, baballarëve, grave, motrave, fëmijëve e familjarëve tanë, këto vuajtje do të pakësoheshin kur do të zbardhej fati i të pagjeturve. duhet të kapen dhe tu dorëzohen organeve të drejtësisë së Kosovës ku u kryen këto krime”, tha Latifi.
Kreu i Rahovecit ndër të tjera ka thënë se vrasja, djegia e njerëzve pastaj zhdukja e gjurmëve të tyre përbën një nga shembujt më të vrazhdë të krimit të serbëve mbi shqiptarët.
“Burra e djem të këtij fshati u dogjën mbetjet e tyre u dërguan në drejtim të paditur. Shtëpitë e thjeshta të fshatarëve u shndërruan në dhoma gazi ku gjetën vdekjen këta djem ashtu si kishin bërë nazistët gjermanë në kampet e shfarosjes, të gjithë meshkujt u ekzekutuan pa u kursyer asnjëri”, shtoi ai.
Latifi ndër të tjera ka rikujtuar se krimi serb në Krushë të Madhe është i egër dhe sipas tij njerëzit tanë u vranë, u dogjën e u hodhën në Drinin e Bardhë e një pjesë e tyre u zhduk e u hodhën diku në Serbi.
“Nga 22 mijë që u vranë, 64 ende janë pa varre, në mesin e tyre edhe profesori Ukshin Hoti”, ka thënë ai.
“Serbia e organizoi spastrimin etnik në mënyrë sistematike duke aplikuar metodën e tokës së djegur”, ka vazhduar ai./Shqip.com