Lajmi i fundit: Dejan Pantiq lirohet nga arresti shtëpiak me 30 mijë € dorëzani

Ish-zyrtari policor i dyshuar për sulm me mjete shpërthyese në zyret e Komisionit Qendror Zgjedhor në Mitrovicë, Dejan Pantiq, është liruar nga arresti shtëpiak me dorëzani 30 mijë euro.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila ka thënë se nuk kanë pranuar kërkesë nga ana e Prokurorisë Speciale që të njëjtit t’i vazhdohet kjo masë.
Gashi ka treguar se më 4 shtator kishin pranuar nga mbrojtësi i Pantiq, avokati Ljubomir Pantovic, kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë.
Dy ditë më pas, Gjykata ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit, ashtu që ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, duke caktuar dorëzaninë në shumën prej 30 mijë euro.
“Ju njoftojmë se gjykata nuk ka pranuar kërkesë për vazhdimin e arrestit shtëpiak nga ana e PSRK-së. Mirëpo, me datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit D.P av.Ljubomir Pantovic, gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, ashtu që me datën 05.09.2023 gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P të zëvendësohet me masën e dorëzanisë sipas nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30.000.00 Euro”.
“Gjykata Themelore Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin numër PPPS.nr.63/22, me datë 06.09.2023 ndaj të pandehurit D.P ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit, ashtu që ka zëvendësuar masën e arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, duke caktuar dorëzaninë ndaj të pandehurit D.P, në shumën prej 30.000.00 Euro”, thuhet në përgjigjen për Express.
Pantiq ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, ndërsa arrestimi i tij kishte nxitur reagime nga pala serbe, e që u pasua me vendosjen e barrikadave në pika kufitare.
Më 28 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ia zëvendësoi të dyshuarit masën e paraburgimit me arrest shtëpiak.
/Shqip.com