Lajme

Lajçak: Zgjidhja e çështjes së të pagjeturve mbetet urgjente

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se çështja e personave të pagjetur vazhdon të jetë urgjente.

Këtë deklaratë Lajçak e ka dhënë përmes një postimi në Twitter pas vizitës së tij në Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur në Prishtinë dhe pasi pa një shfaqje për këtë temë.

“Zgjidhja për fatin e më shumë se 1600 personave ende të zhdukur është urgjente. Të gjithë të dashurit – pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike – meritojnë që t’iu mbyllet çështja. Kjo është arsyeja pse unë vizitova Qendrën e Dokumentacionit, u takova me Qendrën Burimore të Personave të Zhdukur dhe mora pjesë në shfaqjen e “Water and Candles””, ka shkruar Lajçak.

Lajçak, pasditen e së hënës është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në njoftim nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se në takim u bisedua për mbarëvajtjen e deritanishme të takimeve, qasjes konstruktive përgjatë tërë procesit të dialogut në Bruksel, parimet, vlerat dhe synimin e këtij procesi.

Lexo edhe:
Kurti në takim me Lajçak: Qeveria e Kosovës është e angazhuar për dialog parimor

Lajçak ka filluar vizitën e tij zyrtare në Kosovë për tri ditë dhe sipas njoftimit nga Zyra e BE-së në Kosovë, përveç takimit me Kurtin, gjatë këtyre ditëve diplomati sllovak do të takohet edhe me liderë të opozitës dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

Vizita e Lajçak u tha se mund të jetë edhe në kuadër të përgatitjes së një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, i cili është paralajmëruar se mund të ndodhë së shpejti./Shqip.com