Lajçak sot takohet me Vuçiqin, diskutohet edhe për situatën në Jarinje

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka arritur në Beograd për vizitën dy-ditore, e cila po bëhet në kuadër të përpjekjeve të BE-së për t’i mbajtur palët në dialog.
Pasdite, Lajçak do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin do të bisedojë ndër të tjera edhe për situatën e krijuar në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit nga për targat e automjeteve.
Për po të njëjtën temë, Lajçak do të thërrasë në telefon edhe udhëheqësit kosovarë.
Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media zëdhënësi për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Peter Stano.
Stano tha se BE-ja kërkon që menjëherë të ndalen tensionet në veri nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, derisa shtoi se dialogu, me lehtësues BE-në, është e vetmja platformë për t’u marrë vesh mbi çështjet e hapura.
Mëngjesin e së hënës, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në disa pika kufitare me Serbinë.
Siç njoftoi edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ky aksion po zhvillohet për të monitoruar zbatimin e vendimit për reciprocitetin e targave të automjeteve nga Serbia që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë çështje është deklaruar kryeministri Albin Kurti, i cili të hënën në Kuvendin e Kosovës, tha se targat nuk janë dëshirë e Qeverisë, por imponim nga pala tjetër./SHQIP.com